BOTA, 23 Shkurt 2020, 08:21

Koronavirusi izolon Italinë, qeveria merr masa urgjente: Ndalohet hyrja e dalja në tre qytetet me të infektuar. Mbyllen shkolla e Gjykata

Koronavirusi izolon Italinë, qeveria merr masa urgjente: Ndalohet hyrja e


Dy vdekje dhe dhjetëra njerëz të infektuar në zonën e Lombardisë, Venetos dhe Piemontes ka mjaftuar që vendi të izolohet. Me vendim qeverie janë mbyllur shkollat, zyrat e punës, Gjykatat dhe Universitetet. Në kisha është ndaluar kategorikisht shtrëngimi i duarve.

Kryeministri Giuseppe Conte ka thirrur një Këshill të jashtëzakonshëm të Ministrave për të filluar marrjen e masave të reja speciale.

“Dekreti i ri do të na lejojë të ndërhyjmë dhe të urdhërojmë masa të mëtejshme të kontrollit për të parandaluar largimin e individëve nga zonat që konsiderohen si shpërthime. Një familje e vendosur në karantinë është shpërngulur në Jug. Këto masa duhet të parandalojnë episodet e ngjashme. Hyrja dhe dalja nuk do të lejohen në zonat e shpërthimit, përveç nëse përjashtime specifike që do të vlerësohen herë pas here. Në ato zona tashmë është urdhëruar pezullimi i punës.

Më tej, Conte paralajmëroi se pas qetësimit të situatës, qeveria e tij do të kompesonte të gjithë ata që kishin humbur punën e tyre për shkak të izolimit nga koronavirusi.

“Sot kemi pasur urgjencë dhe kemi masa urgjente të jashtëzakonshme por në ditët në vijim do të bëjmë një dekret tjetër me subvencione dhe masa të ndryshme, dëmshpërblime për pushime nga puna për të kompensuar dhe rregulluar vështirësitë ekonomike që të mund të kenë hasur qytetarët gjatë këtyre ditëve,“-u shpreh më tej kreu i qeverisë italiane.

Alarmi për koronavirusin ka përfshirë edhe Shqipërinë, pas dy viktimave që janë shënuar në Itali. Në Portin e Durrësit janë shtuar masat e sigurisë dhe kontrollet për tragetet që vijnë nga Italia drejt Shqipërisë, ndërsa vetëm në fundjavë kanë hyrë 2 tragete me 446 pasagjerë. Mjeku Indrit Kalaja, përgjegjës për karantinën e vendosur në këtë port, ka bërë me dije se janë bërë të gjitha kontrollet dhe pasagjerët nuk kanë patur lidhje me vatrat e infektuara. Kina po përballet çdo ditë e më shumë me shtimin e numrit të viktimave si shkak i koronavirusit që është përhapur gjerësisht në 29 vende të botës. Mësohet se në rang global janë shënuar 2345 viktima dhe mbi 75 mijë njerëz të tjerë janë infektuar nga ky virus vdekjeprurës. Ndërkohë në Korenë e Jugut pasi u shënua edhe viktima e parë disa ditë më parë, ndërsa numri i të infektuarve është rritur në 156. Ky virus rrezikon të përhapet në mbarë botën pasi përhapet shumë lehtë nga njeriu në njeri.