AKTUALITET, 2 Qershor 2020, 08:38

Koronavirusi nuk është kërcënimi i vetëm, kreu i OBSH: Po shpërthen edhe një epidemi e re


Një epidemi e re e Ebolas u shfaq në Republikën Demokratike të Kongos, më shumë se 620 milje larg nga shpërthimi i vazhdueshëm në lindje të vendit.

Sipas mediave të huaja, Ministri i Shëndetësisë, Eteni Longondo, tha e katër persona që humbën jetën në qytetin e Mbandaka, kishin rezultuar pozitivë në laboratorin kombëtar në kryeqytetin e Kongos, Kinshasa.

“Një epidemi e re e Ebolas u shfaq në Mbandaka. Shumë shpejt do t’i sigurojmë vaksinat dhe ilaçet në vendet përkatëse”, tha ministri Longondo në një konferencë për shtyp.

Lajmi u konfirmua edhe nga shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ky shpërthim na kujton se COVID-19 nuk është kërcënimi i vetëm shëndetësor me të cilën po përballen njerëzit”, ka shkruar Ghebreyesus në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.