TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mori pjesë në Konferencën Evropiane të Drejtuesve të Policisë, të organizuar dhe koordinuar nga EUROPOL-i në Hagë (Holandë).
Në konferencë morën pjesë mbi 500 drejtues policie dhe delegatë nga 59 shtete, si dhe përfaqësues të 15 organizatave ndërkombëtare.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi i strategjive për përballimin e kërcënimeve të reja të sigurisë dhe sfidave të kriminalitetit modern.
Gjatë punimeve, të zhvilluara nga 28 deri më 30 shtator, u diskutua për parandalimin e radikalizimit dhe sfidat e reja të sigurisë, duke u theksuar nevoja për një qasje të integruar dhe të koordinuar nga strukturat ligjzbatuese.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i teknologjisë dhe ndikimi i tij në siguri. Në konferencë u nënvizuan mundësitë që teknologjia u ofron agjencive ligjzbatuese për analiza më të shpejta dhe hetime më efikase, por edhe mënyrat e reja përmes të cilave ajo mund të përdoret për zhvillimin e formave të ndryshme të kriminalitetit.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet policisë, sektorit financiar dhe platformave teknologjike për parandalimin dhe goditjen e mashtrimeve online.
Sipas Policisë së Shtetit, pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë konferencë përbën një mundësi për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e kapaciteteve të analizës strategjike në luftën kundër krimit ndërkufitar.
Konferenca synoi bashkërendimin e veprimeve të përbashkëta ndërkufitare përballë kërcënimeve të reja të sigurisë, ndërsa pjesëmarrja e Policisë së Shtetit u vlerësua si pjesë e angazhimit për bashkëpunim më të ngushtë në arkitekturën evropiane të sigurisë.
