AKTUALITET, 27 Shtator 2019, 19:06

Komisioni i Venecias: Meta tejkaloi kompetencat që i jep Kushtetuta, por veprimi i tij nuk është shkelje e rëndë


Komisioni i Venecias i ka kthyer përgjigje Komisionit Hetimor Parlamentar për vendimin e Presidentit Meta për të anulluar dhe më pas shtyrë datën e zgjedhjeve lokale.

Në opinionin e Komisionit të Venecias, të cilin TPZ.al e disponon, thuhet se presidenti ka tejkaluar kompetencat që i jep Kushtetuta, duke shtyrë zgjedhjet lokale.

"Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij që i jep Kushtetuta, fillimisht duke anulluar dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet loikale. I takon Kuvendit dhe më pas Gjykatës Kushtetuese, të vlerësoje nëse ky akt është një "shkelje e rëndë", që të sjellë shkarkimin e Presidentit", thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Por pavarësisht tejkalimit të kompetencave, Komisioni i Venecias shprehet se disa faktorë tregojnë se veprimi  i presidentit nuk është i karakterit, që mund të klasifikohet si një shkelje e rëndë, pra se nuk ka një bazë për shkarkimin e Presidentit.

"Siç thuhet në këtë opinion, një numër faktorësh tregojnë se kjo nuk ishte e karakterit që të konsiderohet një shkelje e rëndë. Kjo lidhet veçanërisht me thirrjet e Presidentit për dialog, me pritshmëritë se shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte në gjetjen e një kompromisi mes palëve, mungesën e një ligji që rregullon kompetencat e Presidentit, mungesën e shqyrtimit direkt të dekretit të presidentit nga një gjykatë, statusin kushtetues të zgjedhjeve lokale, krahasuar me zgjedhjet palamentare.

Në tërësi, të gjithë këta elementë, të çojnë në konkluzionin, se edhe pse presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale, përtej mandatit të autoriteteve lokale, pa ndonjë bazë ligjore specifike, sidoqoftë elementët e prezantuar më lartë mund të çojnë në konkluzionin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre mjaftueshëm serioze, për të sjellë shkarkimin e Presidentit".

Pra, Komisioni evidenton tejkalim të kompetencave nga ana e Presidentit dhe shprehet se i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë përfundimisht nëse ky tejkalim kompetencash, është aq i rëndë, sa të sjellë shkarkimin e Presidentit, megjithëse për Komisionin, duke u bazuar edhe në faktorë të përmendur më lart, këto akte nuk duket mjaftueshëm të rëndë.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës, ka deklaruar se do të dorëhiqej, nëse Komisioni i Venecias, e quan vendimin e tij antikushtetues.

Në reagimin e parë nga Presidenca, lidhur me këtë opinion të Komisionit të Venecias, thuhet se presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Reagimi i Zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi:

“ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS! HARROJINI TRAKTET e porositura ngado që të vijnë! E dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët me integritet se Presidenti i Republikës ka MBROJTUR Kushtetutën, rendin demokratik dhe pluralizmin politik, dhe ka SHMANGUR gjakderdhjen dhe Rajshtagun! DËGJONI Bundestagun! ULUNI URGJENT dhe ZGJIDHNI krizën e rëndë politike para se t’i shtoni kushte të tjera Shqipërisë!”

/TPZ.al/