TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Padinë penale për shpifje që kryetari Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka bërë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj do ta shqyrtojë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, e cila argumenton se GjKKO është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një zyrtarëve të lartë.
Në këtë prizëm Gjykata e Posacme është kompetente edhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj zyrtarit të lartë. Çështja e kompetencës për padinë e Bashës ndaj Veliaj kishte më shumë se një vit që sorrollatej nga njëra gjykatë në tjetrën, deri sa perfundimisht Gjykata e Larte ia la për detyrë GJKKO-së. Veliaj pati akuzuar Bashën se pas tërmetit përfitoi 4 shtëpi nga oligarkët.
Njoftimi i plote:
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën gjyqësore të datës 27.07.2021, mbi çështjen penale nr. 52810-227-2021, në lidhje me çështjen e ngritur për njësimin e praktikës gjyqësore, vendosi të mbahet ky qëndrim:
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e të gjitha akuzave penale të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm të parashikuar nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale, në të cilat akuza në gjykim përfaqësohet nga prokuroria si dhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm, sipas nenit 59 të K.Pr.Penale.
Në lidhje me çështjen, Kolegji vendosi:
Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes penale me nr.227/2021 Regj.Them, datë regjistrimi 30.03.2021 me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale “Shpifja” parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes.