AKTUALITET, 16 October 2026, 18:14

Koçiu dënon aktet e dhunës në Qytetin Studenti: Studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk dhunojnë shkollat dhe vendin e tyre

Koçiu dënon aktet e dhunës në Qytetin Studenti:

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar aktet e dhunës të shënuara në godinat e konvikteve në Qytetin Studenti, duke theksuar se një hapësirë ku të rinjtë duhet të ndihen të sigurt është kthyer në shënjestër të akteve vandale.

Gjatë një vizite në Qytetin Studenti, Koçiu u shpreh se një hapësirë e dijes, e ëndrrave dhe e së ardhmes është shndërruar në një skenë frike dhe vandalizmi. Ajo e cilësoi të papranueshme situatën që, sipas saj, po vijon prej katër ditësh në Tiranë.

“Institucione të djegura, biznese të shkatërruara, qytetarë të terrorizuar dhe punonjës policie të sulmuar. Kjo nuk është protesta e studentëve! Studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk frikësojnë bashkëmoshatarët, nuk dhunojnë shkollat dhe vendin e tyre”, theksoi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja nënvizoi se studentët meritojnë të dëgjohen dhe se kërkesat e tyre duhet të marrin përgjigje, duke theksuar se këtë qëndrim e kanë shprehur që në fillim.

“Shteti do të mbrojë qytetarët dhe çdo akt dhune do të hetohet deri në fund. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga dhuna, maskat dhe frika! Kemi kapërcyer sprova shumë më të mëdha dhe do ta kapërcejmë edhe këtë. Shqipëria e ka zgjedhur të ardhmen e saj, zhvillimin dhe familjen europiane”, nënvizoi Koçiu.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje studentëve që jetojnë në godinat e konvikteve të qëndrojnë të qetë, ndërsa falënderoi efektivët e Policisë së Shtetit për angazhimin e tyre.

“Ministrja Koçiu u shpreh se ‘nga këtu dua të inkurajoj studentët që jetojnë në këto godina të jenë të qeta dhe dua po nga këtu të përcjell një falënderim për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit dhe dua të kërkoj nga të gjithë, lutem bashkëpunoni, Policia e Shtetit është aty për të garantuar sigurinë dhe rendin publik’”, thuhet në deklaratën e saj.