AKTUALITET, 26 Mars 2021, 14:37

Klajda Gjosha: Katër vitet e fundit, më të errëtat që ka pasur Shqipëria. Në Tiranë, LSI do të fitojë më shumë vota se në 2017

Klajda Gjosha: Katër vitet e fundit, më të errëtat që

Ish-ministrja e Integrimit dhe kandidatja e LSI-së në Tiranë, Klajda Gjosha, deklaroi se katër vitet e fundit, kanë qenë më të errëtat që ka pasur Shqipëria.

“Në këto kohe pandemia, nuk mendojmë se shpenzimet e luksit të shkojnë në fushatë. Më mirë është që të shpenzohen para për pandeminë, sesa për shou. LSI ka kohë që e ka nisur fushatën, është fushatë shumë e mirë.

Nuk e di a ka më ndonjë qytetar, që mund të japë votën ndaj një kryeministri që s’ka bërë asgjë, sidomos në katër vitet e fundit. Rama të bëjë bilanc në këto katër vjet. Unë mendoj se katër vitet e fundit kanë qenë më të errëtat që ka pasur Shqipëria. Me mbi 700 mijë shqiptarë që janë larguar nga vendi”, tha Gjosha.

Klajda Gjosha nënvizon se LSI do të fitojë më shumë vota se në vitin 2017.

“Gjuha e ashpër në fushatë është histori e vjetër në Shqipëri, nuk pritet ndryshe derisa Rama është në pushtet, sepse dimë që ai ka degraduar shumë herë gra e vajza. Është e rëndësishme që t’ua kthejmë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin. Arroganca dhe largimi nga realiteti është shumë i madh. LSI nuk trembet nga verifikimet në Prokurori. Shqiptarët e diasporës duhet të votojnë, sepse ata duhet të jenë pjesë e vendim-marrjes në politikë. Në Tiranë LSI do të fitojë më shumë vota se më 2017. Renditja ime në listat e kandidatëve nuk përbën asnjë problem”, u shpreh Gjosha.