AKTUALITET, 25 Prill 2020, 19:03

"Kim Yong Un është në gjendje vegjetative", Kina dërgon urgjent mjekë në Korenë e Veriut, pas raportimeve në media

"Kim Yong Un është në gjendje vegjetative", Kina
Kina ka dërguar një ekip mjekësor në Korenë e Veriut, pas raportimeve se Kim Yong Un, është në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, raporton Daily Mail. Ditët e fundit ka patur raportime të ndryshme, shpesh kontradiktore, lidhur me shëndetin e diktatorit. Media japoneze, Shukan Gendai,  ka raportuar se në fakt gjendje shëndetësore e Kim Yong Un, është mjaft e rëndë dhe ai është aktualisht në gjendje vegjetative, pas një operacioni në zemër. Kjo media citon një doktor kinez, që thotë se Kim Yong Un, u ndje keq gjatë një vizite në fshat dhe u përkul duke vendosur dorën në kraharor. Sipas këtij burimi, u vendos që diktatori të futej urgjentisht në një operacion dhe të mos pritej ekipi i mjekëve kinezë, sepse nuk kishte mjaftueshëm kohë. Gjatë ndërhyrjes në zemër, Kim Yong Un ka rënë në një gjendje vegjetative. Megjithatë, zyrtarë të Koresë së Jugut, kanë vënë në pikëpyetje raportimet se jeta e Kim është vënë në rrezik nga operacioni në zemër. Sipas tyre, nuk ka patur asnjë lëvizje të dyshimtë në Korenë e Veriut. Po në këtë linjë, ditën e enjte, Presidenti Trump, i mohoi aludimet se Kim Yong Un është në gjendje të rëndë shëndetësore. Presidenti tha se raportimet për shëndetin e tij kanë qenë "të pasakta", por nuk u shpreh nëse është vënë në kontakt me zyrtarë të Koresë së Veriut. Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar për gjendjen shëndetësore të diktatorit, në rrjetet sociale është bërë mjaft popullor hashtagu "Kim Jong I vdekur". Kim Yong Un, i cili mendohet të jetë 36 vjeç, është zhdukur nga jeta publike edhe më parë. Në vitin 2014, ai u zhduk për më shumë se një muaj dhe televizioni shtetëror, e shfaqi atë më pas, duke ecur me një shkop. Ka patur shpesh spekulime, rreth shëndetit të liderit suprem, sepse ai është një duhanpirës i rregullt, obez dhe në familjen e tij, ka patur historik të sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse Kim Yong Un, do të rezultojë vërtetë në gjendje të rëndë shëndetësore, mbetet e paqartë se kush do ta zëvendësojë atë.

/TPZ.al/