TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martinin, i cili është edhe kandidat për kreun Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi për Martinin ishte parashikuar që të jepej këtë të enjte në orën 10:00, por sipas njoftimit të KPK, për shkaqe të arsyeshme nuk do të zhvillohet. Po kështu nuk është nxjerrë një datë se kur do të zhvillohet seanca e radhës.
Procesi i vetingut për Martinin po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja, e cila ende nuk ka marrë një vendim për prokurorin.
Në seancën e fundit të KPK-së, Martini deklaroi se gjatë jetës së tij ka blerë një shtëpi dhe një garazh. Ai theksoi se për këto ka marrë dy kredi, pasi donte të jetonte në një zonë që është nën ruajtjen e policisë sepse ka pasur frikë për familjen e tij për shkak të kërcënimeve që ka marrë, për shkak të detyrës.
Ai kërkoi para trupës gjykuese konfirmimin në detyrë, ku theksoi se nuk ka bërë asnjë shkelje në detyrë.
Kush është Anton Martini?
Anton Martini është një prokuror i moshës 45 vjeç me orgjinë nga Tropoja. Njihet si prokurori që përmes një dëshmitari të mbrojtur, siç ishte Adriatik Coli zbërtheu një nga bandat kriminale më potente në vend.
Bëhet fjalë për bandën e Durrësit, teksa Martini kërkoi burgim të përjetshëm për kreun e këtij grupi, Lul Berishën. Tashmë ai po heton dosjen e nxehtë të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku vdiq shoferi i prokurorit, Andi Maloku si dhe u plagos Pëllumb Ymeri, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’.
Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Martini ka mbajtur edhe postin e drejtuesit të prokurorisë së Shkodrës.
Në vitin 2015 ai u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, por këtë vendim e kontestoi për parregullsi. Shkak për këtë largim u bë një përplasje e prokurorit me ish-shefat e tij, gjë që i kushtoi largimin nga kryeqyteti.
Pas ankimimit, do të ishte Arta Marku, ish-kryeprokurorja e përkohshme ajo që do ta rikthente tek Krimet e Rënda, në qershor të vitit 2018. I lakuar si prokurori që hetoi bandat, ai u kthye në një histori suksesi atëherë kur goditi Bandën e Cërrikut dhe hetoi Lazaratin, përfshirë edhe vrasjen e ish-efektivit Basha.
Martini ishte prokurori që kërkoi dënimin kapital të Arben Frrokut, që u akuzua për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj.
Ai ka hetuar gjithashtu edhe bandën e Lushnjës. Për disa vite, prokurori Martini u vu në kërkim të gjurmëve të vogëlushes së zhdukur, Bleona Mata.
Martini njihet edhe për përplasjet me ish-shefat e tij, çka i ka kushtuar edhe largimin nga kryeqyteti, siç edhe rasti i transferimit të përkohshëm në Shkodër.