AKTUALITET, 25 Shtator 2018, 16:45

Kamzës i mbyllin Zyrën e Punës, ankohet Xhelal Mziu: Jo se punësonte njerëz, por na duhej

Zyra e Punës në Kamëz është mbyllur. Kryebashkiaku Xhelal Mziu thotë se ky është një rast unikal, pasi bashkia e gjashtë më e madhe në vend ngelet pa Zyrë Pune. Sipas Mziut kemi të bëjmë me një diskriminim nga qeveria e majtë.

“Jemi rast unikal në Shqipëri, në të 61 bashkitë, që Kamza nuk ka Zyrë Pune. Qeveria e ka hequr Zyrën e Punës nga njësia jonë administrative për ta çuar në territorin e Bashkisë Tiranë. Ky është një absurditet, e pafalshme. Si mund të lësh bashkinë e 6-të më të madhe në vend për nga numri i popullsisë pa Zyrën e Punës!? Banorëve të Kamzës u duhet të shkojnë në Tiranë duke harxhuar kohë dhe para, duke ndenjur në radhë për një vërtetim papunësie apo kërkesë për t’u punësuar! Zyra e Punës në Kamëz duhet të kthehet urgjent, jo se ka pasur efektivitetin e duhur për të punësuar qytetarët, duke qenë inefiçente si të gjitha zyrat e tjera, por është e nevojshme për procedurat e nevojshme administrative që u duhen banorëve të Kamzës të kryejnë në këtë zyrë të shtetit. Bashkia Kamëz i pati ofruar ambientet te One Stop Shopi për Zyrën e Punës, ashtu siç kanë qenë dikur, më pas “Rilindja” e transferoi në një ambient privat, derisa erdhi momenti kur e hoqën fare nga Kamza këtë zyrë”, shprehet Mziu.