AKTUALITET, 1 Gusht 2019, 17:57

Kalojnë sërisht natën jashtë banorët e fshatrave në Korçë

Kalojnë sërisht natën jashtë banorët e fshatrave


Në Korçë, banorët përjetuan sërish ankthin e tërmetit. Pas lëkundjeve të forta të regjistruara pasditen e të mërkurës prej 4.7 ballë, në fshatrat Floq e Qafëzezë banorët janë gjendur sërish në vështirësi, duke u detyruar ta kalojnë natën jashtë nga frika e ndonjë tërmeti tjetër.

Zëvendësministri i Brendshëm, Petro Koçi, inspektoi punimet për rindërtimin e banesave dhe tha se banorët e dëmtuar nga tërmeti do të marrin shtëpitë e tyre të rikontruktuara apo të rindërtuara në bazë të vlerësimit të bërë.

"Gjatë natës ishim në ankth dhe në panik nga tërmeti."

"Natën e kemi kaluar jashtë, jam 82-vjeç burrë dhe po flemë jashtë."

"Ishte një tmerr për ne ky tërmet se na kujtoi atë të mëparshin dhe natën e kaluam pa gjumë, duke dalë jashtë herë pas here."

Të tjerë prej dy muajsh janë strehuar në kasollet që më parë thonë se i kanë përdorur për të mbajtur ushqimin e bagëtive.

"Unë jam edhe e sëmurë, me reumatizëm.Po zuri nesër të ftohtit, unë edhe për veten time nuk jam. Ato shtëpi i kam bërë me gjak, kam mbledhur lule sa u bëra sakat. Tani u prishën. Më mirë të na kishte zënë ai tërmeti dje, kishim shpëtuar dhe ne dhe shteti. Edhe kështu nuk i dilet, kemi dy muaj rrugëve."

Petro Koçi: Këto që do të rindërtohen nga e para janë tre projekte të cilat janë hartuar nga Instituti i Ndërtimeve dhe ne presim nga bashkitë përkatëse që këto projekte tu ofrohen falas banorëve dhe kompanive që kanë marrë përsipër procesin e rindërtimit.

Në qarkun e Korçës janë rreth 80 banesa për tu rikonstruktuar, ndërkohë 40 banesa do të rindërtohen nga e para.