AKTUALITET, 10 Gusht 2018, 11:06

Kaloi Vettingun por ONM del kundër vendimit. Këshillon ankimim për gjyqtarin Artur Malaj

Kaloi Vettingun por ONM del kundër vendimit. Këshillon ankimim

Ndërkombëtarët dalin kundër një tjetër gjykatësi që ka kaluar vettingun. Sipas njoftimit zyrtar, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Artur Malaj.

Më 3 gusht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në seancën dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli kundër DSIK për Malaj. DSIK e konsideronte të papërshtatshëm Malaj për të vijuar ushtrimin e detyrës pasi ishin zbuluar lidhje të tij me elemente kriminalë.

Por një javë pas vendimit, ONM kërkon të rishikohet vendimi i KPK. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ky është rekomandimi i pestë nga ONM për të ankimuar vendimin që iu ka dhënë “OK” 5 subjektevee të rivlerësimit duke kaluar vettingun.

SUBJEKTET PËR TË CILËT ONM KA REKOMANDUAR ANKIMIMIN E VENDIMIT TË KPK

Bashkim Dedja, gjyqtar

Xhezair Zaganjori, gjyqtar,

Gentjan Medja, gjyqtar,

Gentian Osmani, prokuror

Artur Malaj, gjyqtar

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.