AKTUALITET, 16 Maj 2019, 12:19

Jo vetëm autostrada Tiranë-Durrës, 7 akse të tjera do të jepen me koncesion

Jo vetëm autostrada Tiranë-Durrës, 7 akse të tjera do


Krahas autostradës Tiranë-Durrës, qeveria ka planifikuar të nënshkruajë kontrata koncesionare edhe për disa akse të tjera rrugore, një pjesë e të cilave janë në punim e sipër.

Bëhet fjalë për akset Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Durrës-Fier, Levan-Tepelenë, Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit, që kanë qenë pjesë e planit të taksimit të vitit 2016 nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Parashikohet që tarifa e kalimit të automjeteve në këto rrugë do të variojë nga 1 deri në 2.6 euro. Në përllogaritjen e vlerës së taksës janë marrë në konsideratë veçoritë e ndërtimit të secilit prej akseve, duke i kushtuar rëndësi parësore vështirësive teknike dhe gjatësive të tuneleve.

Në këtë mënyrë, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbrit”, pritet të kenë tarifën më të lartë të kalimit.

Deri më tani, është dhënë me koncesion vetëm “Rruga e Kombit”, ku për çdo kalim aplikohet taksa prej 5 eurosh, nga e cila janë të favorizuar vetëm banorët e zonës që përtojnë nga reduktimi i detyrimit në 1 euro.

Në një intervistë të dhënë ditën e djeshme për televizionin “SCAN”, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se të gjithë projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas.