AKTUALITET, 31 Mars 2021, 19:20

“Jemi në garë me sirianët për largimet nga vendi”, Paloka: Beteja është me ata persona që nuk dinë se ku të çojnë milionat!

“Jemi në garë me sirianët për largimet nga

Drejtuesi Politik i PD-së për Qarkun e Durrësit, Edi Paloka ka mbajtur takimin e radhës në zonën e Manzës, ku u prezantua gjithashtu dhe kandidatja e zonës Manjola Luki.

Gjatë fjalës së tij, Paloka ka thënë se do të jetë një deputet që do të paraqesë në Parlament problemet e çdo familjeje.

“Ardhja këtu është emocion dhe kënaqësi më vete. Sot kam ardhur të prezantohem tashmë si deputet i zonës tuaj, në parlament do të jem direkt përfaqësuesi juaj duke zgjidhur problemet që ka çdo familje”, tha Paloka.

Gjatë komunikimit të tij me banorët e zonës, Paloka u ndal dhe tek shqetësimi emigrimi it ë rinjve, duke theksuar se sipas tij, këto janë tregues se si është mjeruar e katandisur Shqipëria në vitet e fundit.

“Pas 30-vitesh shqiptarët po ikin prapë, jemi në garë me sirianët, kush të iki më parë nga vendi i tyre. Këtë duhet t’i lëmë Ramës të përfundojë? Për këtë t’i japim mandat tjetër? Beteja është për njerëzit që luftojnë për bukën e gojës përballë një tufe që nuk din ku të çojë milionat dhe kërkon prapë në kurriz të shqiptarëve të vazhdojë të vjedhë dhe poshtërojë njerëzit”, tha Paloka.