AKTUALITET, 20 Gusht 2020, 13:14

Iu mbyt vajza në Velipojë, babai i 17-vjeçares mesazh prekës: Zoti të mori shpejt fizikisht por Jo shpirtërisht


Babai i vajzës që u mbyt në Velipojë ka bërë një postim rrëqethës në rrjetet sociale.

Familja Doda ka hapur dyert e mortit në banesën e tyre në Bathore të Kamzës, pasi janë kthyer nga pushimet në Velipojë, pa vajzën.

“U prefsh ne paqe zemra e babit? zoti te mori shpejt fizikisht por Jo shpirterisht. Qofsh e xhenetit”- shkruan i ati i vajzës së ndjerë.

Ai ka thënë për “News24” se 25- vjeçari Indrit Bajraktari ishte i njohur për familjen e tyre.

Më herët, policia e Shkodrës njoftoi se kishte ngritur tre akuza për 25-vjeçarin Indrit Bajraktari, i arrestuar pak orë pasi në plazhin e Velipojës u gjet e pajetë, e mbytur në det një 17-vjeçare.

Enisa Dodaj, kishte shkuar për pushime me familjen, por humbi jetën në rrethana ende të paqarta, teksa kishte dalë në det me motoskaf me të riun.

Bajraktari akuzohet për “Shkaktimi i vetëvrāsjes”, “Moskallëzimi i krīmit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postrribë Shkodër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motorr uji të marrë me qera së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrāsjes”, “Moskallëzimi i krīmit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.