AKTUALITET, 20 Gusht 2020, 11:50

Detajet e policisë për ngjarjen e rëndë në Velipojë: U futën me motor uji në det, i riu e la 17-vjeçaren të mbytej

Detajet e policisë për ngjarjen e rëndë në


Policia ka dhënë detaje për mbytjen e 17-vjeçares nga Burreli, Enisa Dodaj, në Veliopojë. Sipas policisë, 24-vjeçari, Indrit Bajraktari, ka marrë me qira një motor uji dhe është futur në det me 17-vjeçaren rreth orës 14:00.

Ai ka dalë në breg rreth orës 16:30 pa motorin e ujit, duke e lënë të mbytej 17-vjeçaren.

Kjo e fundit kishte ardhur me pushime me familjen e saj në Velipojë.

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar çelësin e motorit të ujit.

Njoftimi i policisë:

Velipojë, Shkodër Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njësia Administrative Postrribë Shkodër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motorr uji të marrë me qera së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorrin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ditën e djeshme disa peshkatarë gjetën një person të pajetë në plazhin e Vilunit, rreth 700-800 m nga bregu. Nga këqyrja paraprake, mbi trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune.