SPORT, 19 Mars 2021, 18:09

Ish-menaxheri i Neymarit: Ai do të bashkohet me Messin, por jo te PSG

Ish-menaxheri i Neymarit: Ai do të bashkohet me Messin, por jo te PSG


Andre Cury, ish-menaxheri i Neymarit dhe njeri i besuar ndër vite i klubit katalan për merkaton në Brazil, ka befasuar me deklaratën e dhënë së fundi për mediet argjentinase mbi të ardhmen e Lionel Messit dhe “yllit” të PSG-së. “Neymar do të luajë me Messin, jo te PSG, por te Barcelona. Dyshoj shumë se ata mund të ribashkohen në një ekip tjetër,” – deklaroi Andre Cury.

Në fakt, Cury shpjegoi se dy sezone më parë Barça ishte shumë pranë ribashkimit të dy fenomeneve, që në vitin 2015 udhëhoqën “blaugranat” drejt suksesit të dytë të trefishtë në historinë e klubit.

“Dy vjet më parë ne u përpoqëm të nënshkruanim përsëri me Neymarin. Mungoi shumë pak për marrëveshjen totale, që do ta zhvendoste nga Parisi në Barcelonë, – siguroi ai. Cury këmbëngul se presidenti i ri i Barçës, Joan Laporta, do ta realizojë këtë operacion, që sot tingëllon i pabesueshëm.

“Mendoj se Laporta është një president shumë i mirë për Barcelonën dhe ai mund t’i bashkojë ata sërish. Do të doja ta shihja Neymarin përsëri krah Leos, por do të doja shumë më shumë që kjo të ndodhte në Barcelonë, ​aty ku ata nuk duhet të ishin ndarë kurrë. Do të isha shumë i lumtur t’i bashkoja përsëri “, këmbënguli Cury. “Neymar i ka dyert e hapura te Barcelona, katalanët e dinë që shitja e tij ishte gabim dhe madje edhe ai pranoi disa kohë më vonë.”

Në të njëjtën linjë, Cury përsëriti përshtypjen e tij se Leo Messi nuk do të largohet nga Barça. “Unë mendoj se Leo nuk do të largohet nga Barça. Leo e nisi dhe duhet ta përfundojë historinë e tij në Europë me fanellën e Barcelonës. E kam shumë të qartë”, theksoi ai.