AKTUALITET, 29 Korrik 2018, 14:54

Investigimin e Tpz.al për pyjet e Shkodrës, Voltana e quan sulm ndaj opozitës!

Investigimin e Tpz.al për pyjet e Shkodrës, Voltana e quan sulm ndaj

Tpz.al denoncoi një tender të kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për dhënien me koncesion të 39 hektarë pyje në zonën turistike. Dy ditë më pas, kryebashkiakja e Shkodrës reagoi me një artikull të gjatë duke thënë se toka për të cilën është dhënë me qira, nuk ka asnjë status. Madje, Ademi publikon 2 foto ku thotë se është tokë djerrë.

“Nuk është e vështirë të kuptohet qëllimi i artikullshkruesit. Synohet goditja e Bashkisë së Shkodrës e drejtuar nga opozita, por edhe e kryetares së saj, e cila është njëkohësisht kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.” – shkruan më tej Voltana Ademi.

Tpz.al i përgjigjet Ademit duke i thënë që të mos manipulojë opinionin publik duke publikuar dy foto, njëra kanal vaditës dhe tjetra rrugë, për të fshehur pyjet që janë dhënë me koncesion në këtë zonë.

Pyjet janë të rëndësishme sido që të jetë zona, me status të veçant si në rastin e Parqeve Kombëtare apo edhe pa status fare. Moratoriumi i vendosur nga qeveria në fund të vitit 2015, nuk përcakton ndonjë kategori për mbrojtjen e pyjeve, por vendos përfundimisht që asnjë pemë të mos pritet brenda territorit të Shqipërisë.

Voltana Ademi mund ta cilësoj si sulm ndaj opozitës shkrimin e Tpz.al, por redaksia jonë nuk ka asnjë arsye apo interes për të goditur individë të veçantë dhe aq më pak një parti politike. Investigimi i Tpz.al ka marrë indicie nga dokumentat publike, të gjendura në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në artikull  nuk ka ndonjë qëndrim aprofesional, por vetëm pasqyrimin e një tenderi që do të kryej Bashkia e Shkodrës dhe titullarja e saj.

Nëse Voltana e shikon këtë shkrim si sulm ndaj opozitës, atëhere ne respektojmë këndvështrimin e saj të turbullt, pavarësisht se çdo lexues i Tpz.al e di shumë mirë që faqja jonë ka shërbyer vetëm për interesin e publikut dhe transparencën me fondet publike.

Tpz.al është e vetmja media, ku mund të gjesh denoncime për çdo zyrtar për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe abuzimet qindra milionëshe. Është qesharake të mendosh që Tpz.al po godet opozitën, pasi ne kemi qënë zëri më i fortë opozitar me të gjithë: me Qeverinë, PD, LSI dhe çdo parti politike.

Faqja jonë mbetet e hapur për çdo denoncim të qytetarëve, por edhe për reagimet institucionale, përfshirë edhe këtë të zonjës Voltana Ademi./TPZ.AL/

Më poshtë reagimi i Voltana Ademit:

https://www.facebook.com/notes/voltana-ademi-faqja-zyrtare/e-verteta-e-nj%C3%AB-zjarri-q%C3%AB-u-fik-pa-u-ndezur/2131561633758219/