AKTUALITET, 26 Maj 2019, 20:42

Europa shkon më djathtas, ‘bien’ Macron dhe Syriza

Europa shkon më djathtas, ‘bien’ Macron dhe Syriza

Europa mbylli të dielën votimet për Parlamentin Europian, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë në 20 vite. Rekordin e mban Danimarka ku dolën në votime 63 përqind, ndërkohë që mendohet se mesatarja në BE të shkojë tek 51 përqind.

Megjithatë, panorama në BE mbetet ndjeshëm e fragmentarizuar. Në Gjermani, të djathtët e CDU/CSU mbeten partia e parë, por Të Blertët kanë shënuar surprizën më të madhe.

Në Francë, të djathtët e Marine Le Pen thuhet se ia kanë dalë t’i japin një goditje presidentit centrist, Emmanuel Macron. Të dhënat e para sugjerojnë se partia e Le Pen ka marrë 23.2 përqind të votave, përkundrejt 21.9 përqind të Macron. Kjo do ishte një goditje e fortë për presidentin francez, që e ka cilësuar veten një kampion për Europën.

Edhe të dhënat nga Greqia tregojnë se gjërat po shkojnë mirë për të djathtën. Partia Demokracia e Re udhëheq me mbi 8.5 pikë diferencë ndaj partisë në pushtet, Syriza.

Mendohet se Demokracia e Re do të fitojë nga 32.5 deri në 34.5 përqind të votave. Kurse Syriza mund të shkojë nga 24 deri në 26 përqind.