SPORT, 10 Janar 2021, 14:40

Inter shpërdoron pa fund dhe lë dy pikë në Romë, tani kreu më larg

Inter shpërdoron pa fund dhe lë dy pikë në Romë, tani

Inter ngec sërish, këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Romës në “Olimpico”, ku nuk shkoi përtej barazimit 2-2 dhe tani e sheh Milanin t’i shkëputet me 3 pikë më tepër në kreun e renditjes.

Zikaltrit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe i shkuan pranë golit në 2-3 momente, por e para në avantazh kaloi Roma, teksa në minutën e 17’,pas një kundërsulmi të shpejtë, Pellegrini gjuajti nga distance, ndërsa topi u devijua edhe me fat në këmbët e Bastonit dhe përfundoi në rrjetë.

Që nga ai moment sfida u luajt vetëm në gjysmëfushën e verdhekuqve, teksa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 56’, me Milan Skriniar që kërceu më shumë se të gjithë gjatë një këndoreje dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Pau Lopez.

Vetëm 7 minuta më vonë ishte anësori maroken Achraf Hakimi, që lëvizi bukur nga krahu dhe lëshoi një gjuajtje fantastike me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetën e portës së Romës dhe duke i dhënë avantazhin Interit.

Vijojnë minutat e mira për zikaltrit, teksa Hakimi, e Vidal kanë në këmbë edhe golin e tretë, por shpërdorojnë në mënyrë të pabesueshme, ndërsa më pas është radha e trajnerit Conte që të gabojë me zëvendësimet e tij.

Largimi I lojtarëve si Lautaro, Vidal e Hakimi, për Perisic, Kolarov e Gagliardini uli ndjeshëm forcën sulmuese të zikaltërve, ndërsa nga kjo përfitoi maksimalisht Roma, që pas disa tentativave radhazi, gjeti golin në minutën e 86’ me anë të Mancinit.

Nga ai moment e deri në fund duket se të dy skuadrat u pajtuan me barazimin dhe bënë shumë pak për të provuar fitoren, ndërsa vërshëllima finale e Di Bello-s bëri që Roma e Interi të ndajnë nga një pikë dhe të ruajnë pozitat e tyre në renditje.