AKTUALITET, 22 Tetor 2020, 21:45

"Inceneratorët"/ Yuri Kim: Kam të gjitha pritshmëritë tek SPAK! Detyra e tyre, të shohin provat dhe të vazhdojnë procesin

"Inceneratorët"/ Yuri Kim: Kam të gjitha

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e ftuar në emisionin Opinion, deklaroi se shumë shpejt do të shihen rezultate nga SPAK.

“Do të thotë që në muajt e fundit, kemi parë SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë. Tani, nuk mund të flasin për këtë publikisht, sepse kjo është natyra e punës së tyre si prokurorë, por mendoj se do fillojmë të shohim disa rezultate.

Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat ‘katër vjet e katër muaj’ është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate,” u shpreh ambasadorja.

E pyetur për "inceneratorët", një çështje mjaft e nxehtë, ambasadorja tha se ka të gjithë pritshmëritë se SPAK do të bëjë pjesën e vet.

“Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej,” tha ajo.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK gjashtë persona, si "grup i strukturuar kriminal" për aferën e inceneratorëve, mes të cilëve edhe kryeministrin Edi Rama dhe ish ministrin e Financave, Arben Ahmetajn.