TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në vitin 98`të, Autorja Renee Hobbs, ndër frymëzuesit e “Lëvizjes për Edukim Mediatik“(Media Literacy Movement), boton një artikull pranë revistës prestigjoze “Journal of Communication”, të titulluar “Shtatë Debate të Mëdha në Lëvizjen për Edukimin Mediatik”. Autorja përpiqej të kuptonte se pse implementimi i edukimit mediatik në shkolla në vitet 70`-të në Shtetet e Bashkuara, nuk kishte patur asnjë efekt në përmirësimin e aftësive kritike në raport me mediat.
Shtatë dilema në formë pyetjesh, përgjigjet ndaj të cilave pritej se do të orientonin politika se si të bëhej e mundur që edukimi mediatik mos të mbetej te sipërmarrjet e aktorëve të izoluar, por të implementohej fuqishëm në gjithë sistemin e edukimit. Shkruante autorja në artikull:“A duhet ta kuptojmë edukimin mbi mediat si një mjet mbrojtës për t`u ruajtur nga pasojat negative të mediave?A duhet që edukimi mediatik të realizohet vetëm në ambjentet e shkollës?
A duhet që edukimi mbi mediat të jetë lëndë më vete?A duhet që produktetpopullore të konsumit masiv të jenë pjesë e edukimit mbi mediat?A duhet që pjesa praktike, përdorimi i pajisjeve teknologjike të jetë pjesa më me peshë e edukimit mediatik?[1] Gjashtë vite më përpara, autorja Patricia Aufderheide në Konferencën Kombëtare të Lidershipit mbi Edukimin Mediatik[2], një iniciativë e Institutit Aspen, në raportin e parë të dedikuar për çështjet Edukimit Mediatik, kishte hedhur pikëpyetje të ngjashme: “Cilat janë boshllëqet në formim, dhe që mund të përmbushen me anë të edukimit mediatik?Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat në lëmin e edukimit, të cilat mund të arrihen nëpërmjet edukimit mediatik?
Në dy dekadat që pasojnë, në vitin 2010-të Instituti Aspen, i besoi autores Renee Hobbs, që të përpilonte një “Plan of Action”[3], për t`ju përgjigjur digjitalizimit të komunikimit, dhe sidomos shtrirjes së Edukimit Mediatik në shoqëri në nivel kapilar. Në vitin 2021 i njëjti Institut, ndërtoi një komision të posaçëm “Commission on Information Disorder”[4], për të ndërtuar një strategji për përballimin e dizinformimit sistemik në kushtet e proçesimit algoritmik të komunikimit dhe qarkullimit të informacionit. Në të gjithë rastet e lartpërmendura, edukimi mediatik nuk është parë i lidhur vetëm me shkollat; por më shumë si një lëvizje e gjerë kulturore, e lidhur me tërësinë e institucioneve të edukimit, por mbi të gjitha me hapësirat private përtej-institucionale si hapësira për t`u integruar në edukim.
Dilema të ngjashme e kanë shoqëruar dhe studimin e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës, me tematikën « Edukimi Mediatik në Shqipëri », të zhvilluar përgjatë vitit akademik 2022-2023 brenda ambjente universitare ku puna ime si studiues me anë të një pyetësori të ndarë në katër seksione: aksesi në teknologji, niveli i mësimdhënies, përftimi i dijeve dhe shkalla e ndërgjegjësimit, ka synuar të evidentojë çarjen që ekziston mes formimit personal të të rinjve në kontekstin privat dhe anakronizmit të institucioneve arsimore
Popullata e përzgjedhur në studim kanë qenë studentët e vitit të parë universitet, si popullata që tranziton nga shkolla e mesme drejt universitetit, ku shpërfaqen kontradiktat mes një kurrikulë të ngurtë dhe një kurrikulë më fleksibël e më të orientuar në universitet.
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, u përzgjodh si mjedis pilot, ku një numër prej 80 studentësh të shpërndarë barazisht sipas degëve, u kampionua me kuota si pjesë e anketës. Në linja të përgjithshme, studimi ka synuar të dijë nëse gjendja e edukimit mbi mediat, varet nga edukimi në shkolla apo nga ngjarje që nuk kanë asnjë lidhje me shkollën dhe që reflektohen si sfida mbi institucionin?
Së pari mbetet për të theksuar se studentët rishtarë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, mbi gjysma kanë përfunduar gjimnazet jo në Tiranë, pjesa dërrmuese janë arsimuar me orientim të përgjithshëm kurrikular, dhe ku 40 % jetojnë apo vijnë nga zonat rurale. Kjo sa për të treguar që formimi dhe e shkuara e tyre në edukim, apo specifikisht në edukimin mediatik, nuk mund të matet sipas një etaloni kombëtar të stabilizuar, por kërkon të qëmtohet me gjithë diversitetin apo boshllëqet që mbart. Nëse do të duam të qëmtojmë disi vazhdimësinë e edukimit, nga e përditshmja në shkollë dhe nga shkolla në të përditshmen e tyre përgjatë kohës së studimit në shkollat e mesme, vërejmë se si mjet komunikimi në nivel personal ka dominuar celulari, kurse në shkollë kemi patur vetëm kompjuterin statik. Duket se ka munguar një infrastrukturë lidhëse mes dy mjediseve, konsumi mediatik ngjan tërësisht i shpërndarë, ndërkohë që 20% shprehen që nuk kanë patur asnjë pajisje të ofruar nga shkolla – pra zero akses.
Diagrama 6.1: Disponueshmëria personale me pajisje teknologjike
Diagrama 6.2 :Disponueshmëria e shkollës me pajisje teknologjike
Në lidhje me se sa funksionale kanë qenë këto pajisje për procesin mësimor, vetëm një e treta shprehen se i kanë përdorur pajisjet e shkollës “shpesh”, apo “në përditshmëri” për arsye mësimore. Në mbi 70 % të rasteve, qoftë me internet të marrë nga shkolla apo me internet personal, shërbimi është përdorur për shkëmbim mesazhesh në Whatsapp, rutinë informative apo lundrim në rrjetet sociale, ç`ka tregon që procesi institucional është thjesht vazhdimësi e asaj që nxënësit kryejnë në rutinën e tyre jetësore. Interesante është që me internetin të garantuar nga shkolla konsumi i produkteve kulturore, megjithëse ka qenë si alternativë, te tabela përmbledhëse nuk figuron fare si zë.
Diagrama 6.3 :Funksionaliteti i internetit në shkolla
Kur shohim nivelin e përhapjes së teknologjive në institucionet e arsimit para universitar, funksionalitetin dhe utilitetin e tyre, praninë e programeve të dedikuara të arsimit mbi mediat, pritshmëritë për nivelin e mësimdhënies nga ana e mësuesve sigurisht nuk janë të larta, dhe këtë na e konfirmojnë shifrat: vetëm 30% apo një e treta e të pyeturve mbështesin opsionin e përgjigjes se mësuesit kanë qenë në lartësinë e duhur apo të aftë për të përdorur teknologjinë në shërbim të mësimdhënies.
Autorja Renee Hobbs, ka shprehur në mënyrë të përsëritur se suksesi i një platformë edukimi nuk varet thjesht nga përmbajtja apo nga dijet e mësuesit, por varet shumë nga niveli i aktualizimit të informacioneve me të përditshmen, qoftë në jetën personale të nxënësve apo me axhendën kulturore, politike dhe informative të shoqërisë.[5]
Kur kemi pyetur të anketuarit se sa e mundur ka qenë që ora e mësimit të pasurohet me raportime nga terreni sipas vëzhgimeve të pavarura të nxënësve, apo se sa mund të jenë përdorur raportime të ditës nga media për çështje apo probleme që lidheshin me orët e mësimit, në 90 % të rasteve, nuk kanë mundur as të kryejnë punë të pavarura nëpërmjet vëzhgimeve të tyre, dhe as për të sjellë në klasë eksperiencën e mediatizuar nga mediat – si një eksperiencë e gjallë nga terreni.
Diagrama 6.4: Lidhja e orës mësimore me aktualitetin e raportuar nga media
Pyetja nëntëmbëdhjetë (P.19) e pyetësorit, ku ekipi kërkimor ka pyetur kampionin e përzgjedhur se: “Nga ajo që dini nga shkolla e mesme, termin “media” e lidhni më shumë me teknologjinë, informimin, gazetarinë, me një industri”? – besoj se ka nevojë të analizohet më thellë se pyetjet tjera. Thuajse 70% e përgjigjeve e lidhin termin “media”, me termin “informim”, 20 % me termin “gazetari” dhe vetëm 10% e lidhin me teknologjinë. Sot gjithmonë e më shumë media lidhet me informacionin, ose kryesisht me informacionin, dhe ky trend prej të paktën njëzet vitesh ka angazhuar organizata të mëdha si Unesco, psh.,që të përparojë me një program global për të ndërtuar një platformë ku edukimi mbi mediat nuk shihet i ndarë nga edukimi mbi informacionin[6]. MIL (Media Information Literacy) Literacia e Medias dhe Informacionit, është formula që përfshin sipas specialistëve të gjithë dinamikat e të paktën e 20`-të viteve të fundit. Përtej medias si industri apo teknologji, në një botë ku qarkullimi i informacionit i ka tejkaluar kufinjtë e mediave, media mund të jetë dhe një muze, dhe nje bibliotekë dhe një librari[7]. Përveç dijes, aftësive praktike, rëndësi merr dhe atituda apo qëndrimi moral, social, politik ndaj asaj që qarkullon[8]; pra na duhet media, teknologjia, por na intereson dhe literacia i informacionit.[9] Në një hapësirë të homogjenizuar, me kufinj të kapërcyer nuk ka më rëndësi thjesht liria e shprehjes, por liria për të patur literacinë e nevojshme për të mbijetuar në këtë realitet të molepsur, ku mosdija kthehet në shkelje të së drejtës, dhe ku njeriu duhet të gëzojë jo thjesht dije, por qytetari dixhitale (Digital Citizeship)[10]
Diagrama 6.5 : Përafrimi konceptual dhe praktik i medias me fenomene social-ekonomike
* Ky shkrim është marrë nga botimi me titull “Edukimi Mediatik në Shqipëri”, kumtuar në konferencën “Edukimi Mediatik në Shqipëri”, më 24 Nëntor 2022 pranë mjediseve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Autori është lektor pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Shkrimi vjen si një kontribut në lidhje me debatin mbi gjendjen e arsimit në Shqipëri, me dëshirën për ta ngritur këtë debat në nivel shkencor dhe të hapur me publikun e gjerë
Burimet bibliografike gjenden në fund të artikullit
[1] Hobbs, R. (1998). The seven great debates in the media literacy movement. Journal of Communication, 48(1), pp. 16-32., cited pp. 18-26. Link :https://mediaeducationlab.com/sites/default/files/Seven_Great_Debates_0.pdf
[2] Aufederheide, P. (1992, Dhjetor) Aspen Media Literacy Conference Report – Part II. Center for Media Literacy. Link: https://www.medialit.org/reading-room/aspen-media-literacy-conference-report-part-ii
[3] Hobbs, R. (2010). Digital and Media Literacy, A Plan of Action (A Whitepaper). The Aspen Institute. Link : https://files.eric.ed.gov/fulltext/ED523244.pdf
[4] Link: https://www.aspeninstitute.org/programs/commission-on-information-disorder/
[5]Blumberg, F (2014). Media Literacy for the 21st Century: Interview with Renee Hobbs, EdD. Society for Media Psychology & Technology / Division 46 of the American Psychological Association. Link: https://www.apadivisions.org/division-46/spotlights/renee-hobbs
[6] UNESCO / Communication and Information / Global MIL Assessment Framework. Link:
[7] UNESCO / Communication and Information / Media and Information Literacy. Link:
[8]UNESCO / (2010). MEDIA AND INFORMATION LITERACY CURRICULUM FOR TEACHERS, p.3 / Link :http://www.unesco.org/new/fileadmin/MULTIMEDIA/HQ/CI/CI/pdf/media_and_information_literacy_curriculum_ for_teachers_en.pdf
[9]Grizzle, A., Moore, P., Dezuanni, M., Asthana, S., Wilson, C., Banda, F., Onumah, C. (2013) Media Information Literacy, Policy and Strategy, p. 53 / Link : https://unesdoc.unesco.org/ark:/48223/pf0000225606
[10] Blumberg, F (2014). Media Literacy for the 21st Century: Interview with Renee Hobbs, EdD. Society for Media Psychology & Technology / Division 46 of the American Psychological Association.
Link : https://www.apadivisions.org/division-46/spotlights/renee-hobbs