IDE, 16 Janar 2024, 16:26

A duhet mbrojtur Ledion Liço nga fobia e vet?

A duhet mbrojtur Ledion Liço nga fobia e vet?

Memet për Ledion Liçon, prezantuesin e Big Brother VIP në Shqipëri, i cili i rikthehet këtij spekaktli pas disa vjet mungese, ishin të nesërmen e natës së parë të spektaklit, të ngjashme me ato që kanë vite që e shoqërojnë jetën profesionale dhe shpesh private të tij. Ato përqeshin, – shpesh pa mëshirë dhe brutalisht, – aspekte të caktuara të sjelljes gjinore të tij.

Sjelljet gjinore, ose performanca e gjinisë, janë tërësia e formave që gjithsecili prej nesh përdor për të shpërfaqur, pra për ta performuar në publik gjininë tonë që nga mënyra e të folurit, mënyra si vishemi, si bëjmë humor në skenë apo në studio, si e mbajmë dorën, si qeshim, si ulemi në karrige, si ulemi në ambiente publike, etj, etj.  Format si ne e komunikojmë në publik gjininë tonë, janë të pafundme, dhe nuk kanë, në shumicën e rasteve, asnjë lidhje me orientimin seksual të dikujt. Shpesh, ato nuk kanë lidhje as me seksin biologjik.

Sjelljet gjinore dhe sidomos pritshmëritë që shoqëria ka ndaj tyre janë aq shumë të kalcifikuara përgjatë mijëra viteve të zhvillimit njerëzor, sa fëmijët që në moshën 18 muajshe janë të aftë të dallojnë veçoritë e gjinive, kryesisht përgjatë ndarjes binare mashkull-femër, vetëm përmes mënyrës sesi njerëzit i komunikojnë ato në publik, pra përmes sjelljes gjinore. Judith Buttler, një kontributore e rëndësishme në fushën e studimeve gjinore thotë se gjinia, si kontrukt shoqëror është përformative, që do të thotë se ekziston vetëm ngaqë ne e performojmë atë. Njerëzit e përvetësojnë skriptin e gjinisë përmes përsëritjes shpesh kompulsive dhe përmes “feedback” që marrim që në djep.   

Shprehja e gjinisë, apo komunikimi/përformimi i saj, nuk kanë lidhje me orientimin seksual, as me identitetin gjinor. Ama, bashkë ose veçmas, të treja këto koncepte: orientimi seksual, identiteti gjinor dhe shprehja gjinore, janë shpesh baza mbi të cilën njerëzit, sidomos ata që nuk i përmbahen pritshmërive të shoqërisë, diskriminohen.

Termi kryesor me të cilin komuniteti LGBTQ+ në Shqipëri e identifikon veten, pra akronomi LGBTQ+ apo LGBT, ose LGBTI, tashmë masivisht i përdorur dhe I kuptuar ndërmjet shqiptarëve, nuk e përfshin plotësisht morinë e veçorive të njerëzve që janë apo ndihen ndryshe nga shumica, e të cilët diskriminohen pikërisht për këtë.

Më së shumti, LGBTQ+ rreket të identifikojë një aspect të njerëzve, që ka lidhje kryesisht me orientimin seksual. Por njerëzit nuk diskrimohen vetëm për shkak të mënyrës se si dhe me kë bëjnë seks. Diskriminimi dhe dhuna sistematike ndodh shumë më tepër për njerëzit identiteti gjinor i të cilëve nuk përputhet me seksin e tyre biologjik, dhe ndodh në mënyrë po aq problematike për njerëzit të cilët e performojnë gjininë e tyre ndryshe nga pritshmëria që njerëzit mund të kenë për ta (psh, kur dikush që perceptohet si vajzë, flet me një ton zëri që zakonisht shoqëria e asocion me një djalë, e kështu me rradhë, shembujt mund të jenë të pafundmë).

Rikthehemi tani tek Ledioni. Ai nuk ka thënë asnjëherë nëse ndihet pjesë e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri. I martuar me një prej trashëgimtarëve të perandorisë mediatike Top Channel, Liço është baba i tre fëmijëve dhe në një shoqëri si Shqipëria, kaq mjafton për të shuar çdo ngurim që njerëzit mund të kenë ndaj seksualitetit të dikujt. Në njëfarë mënyrë të qënurit në një lidhje martesore dhe pasja e fëmijëve përmbush të gjitha pritshmëritë kryesore që shoqëria mund të ketë për seksualitetin, gjininë, rolet gjinore, etj., të dikujt. Por ka një aspekt tjetër ku Ledioni, pavarësisht gjithçkaje, do të duhet ta kuptonte shumë mirë diskriminimin dhe dhunën me të cilën përballen pjesëtarët e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri. Sjellja gjinore e Ledionit ka qenë gjithmonë në kundërshtim me perceptimin që njerëzit ndërtojnë bazuar në pritshmëritë binare (ose grua ose burrë). Mjafton të shikosh memet për Ledionin për ta kuptuar që edhe ai nuk është imun nga dhuna e shoqërisë.

A duhet mbrojtur Ledion Liço nga fobia e vet?

Diskriminimi për shkak të orientimit seksual, të identitetit gjinor, apo shprehjes së gjinisë (Sexual Orientation, Gender Identity, and Gender Expression – SOGIESC) nuk afekton vetëm pjesëtarët e komunitetit LGBTQ+, por këdo që nuk noton në ato pritshmëri të ngurta të shoqërisë që synojnë të konturojnë çdo manifestim gjinor, përfshi mënyrën si flasim, si ecim, si vishemi, si qeshim, e si vallëzojmë. Ledioni, është një target i këtij diskriminimi.

Por ka një ndryshim madhor këtu. Ndryshe nga Ledioni, njerëzit e tjerë në Shqipëri nuk e kanë mbrojtjen financiare, mediatike dhe politike që ka Ledioni, si figurë e rëndësishme e Top Media dhe si bashkëshorti i vajzës së themeluesit të asaj mediaje.  

Ditën e djeshme, teksa po prezantonte djalin me emrin Meriton Mjekiqi, Liço u shpreh: “Eshtë i dashur nga femrat dhe meshkujt seksualisht konfuzë,” duke fyer në këtë mënyrë këdo njeri që nuk ka asnjë lloj konfuzioni për seksualitetin e vet. Në atë rast, reagimi që do duhet të ketë komuniteti LGBTQ+ në Shqipëri sidomos pjesa e angazhuar me aktivizëm e atij komuniteti duhet të ishte një reflektim më parimor në lidhje me standartin me të cilin ne krijojmë pritshmërinë për personazhet publikë.

Komuniteti LGBTQ+ duhet të jetë deri në fund mbrojtës i parimit që gjithsecili e zgjedh vetë se kur apo nëse do të bëjë coming out, kush është në pozita pushteti ka një formë tjetër përgjegjësie ndaj publikut. Përgjegjësia në atë rast nuk ka të bëjë me a ke apo jo kurajo, mundësi apo arsye të bësh ‘coming out’ por a je gati të sfidosh diskriminimin dhe a je gati të mbrosh të tjerët nga diskriminimi që u bëhet para syve të tu. S’do mend pastaj që kjo prezumon edhe që ti nuk mund të jesh burimi i këtij diskriminimi.

Ledion Liço mund të mos bëjë kurrë ndonjë coming out. Seksualiteti i Ledionit – straight apo jo – ndoshta nuk do të vihet kurrë në dyshim, e sigurisht Ledioni ka të drejtë si kushdo të jetojë jetën e vet pa ndjerë ndonjë detyrim për t’u sqaruar për asgjë private. 

Mirëpo në hapësirën e pashpirt publike, sjellja gjinore e Ledionit, pavarësisht çfarëdo orientimi seksual të tij, apo identiteti gjinor, është po aq e përqeshur dhe e policuar sa ajo e shumë pjesëtarëve të tjerë të komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri. Ledioni është për pasojë një viktimë e këtij proçesi të dhunshëm i linçimit publik të kujtdo që shkon jashtë binarëve të pritshmërive gjinore. Dhe ai duhet mbrojtur publikisht! Fillimisht nga vetja e tij dhe nga nevoja që ai mund të ketë për t’u disasocuar me diskriminimin që e pëson vetë, duke u detyruar shpesh të duket sikur i përket jo të ndryshmëve që diskriminohen, por shumicës diskriminuese, duke diskriminuar pastaj vetë ata që nuk i kanë mjetet e pafundme që ka ai për të dalë të palagur. Ky do të ishte kulmi i kryqëzimit të hipokrizisë me panikun, një kryqëzim që askush nuk duhet detyruar ta jetojë. /historiaime.al/