IDE, 26 Korrik 2023, 09:50

Lëreni Bashën të qetë në të drejtën e vet!

Lëreni Bashën të qetë në të drejtën e vet!

Sado paradoksale që të duket Lulzim Basha ka shumë fish më tepër të drejtë sesa kundërshtarët e vet brenda grupit të vulës, që duan të pengojnë rizgjedhjen e tij në 29 korrik. Një grup deputetësh po reken ta ndalin atë të zhvillojë garën karagjoze kundër kandidatit me brëtela, Gjergji Hani, me pretendimin se kjo po ndodh në shkelje të regullave të lojës. 

Ata pretendojnë mbështetjen e shumicës së anëtarëve që kanë mbetur nga i ashtuquajturi Këshill Kombëtar, të cilin duan ta mbledhin sërish. Ata rreken të argumentojnë se përkrahen nga pjesa më e madhe e deputetëve që i qëndruan deri në fund besnikë vulës. Ata këmbëngulin se vendimet e kryesisë, nën kërcënimin e të fortëve janë nul. Dhe aty, brenda sherrnajës së botës së tyre të vogël, ata mund të jenë në të drejtën e tyre që të mos bien dakord me këtë farsë. 

Por, e parë nga lart, përpjekja që po bëjnë ngjan qesharake dhe e panevojshme. Ata duken po aq absurdë sa një mjek që do të ruajë funksionin e organeve të një trupi që ka dhënë shpirt; po aq naivë sa një zjarrfikës që vazhdon të hedhë ujë mbi një godinë të shkrumbuar; po aq hipokritë sa dikush që bën sikur kërkon një send që e di se është zhdukur.

Beteja e tyre imagjinare po zhvillohet për një PD që ata shtiren sikur e kanë, por që prej kohësh, mbi gjysëm milioni votues i janë arratisur diku tjetër. 

Çmenduria që predikojnë është se u kujtuan tani, t'i kërkojnë Lulit regulla, kur ai i ka injoruar ato prej dy vitesh, pikërisht me bekimin e tyre. Janë po të njëjtët që e mbështetën Bashën në formulime debile si mos lejimi i një kuvendi anti-amerikan. Po ata që njohën një forum me 5 mijë delegatë në një sallë me 2 mijë karrige. Po ata që u fshehën pas dyerve të blinduara, deri sa sampistët e Ramës u shpëtuan kokën. Po ata që edhe pas 6 marsit vijuan betejën për të mbajtur vulën me bekimin e pushtetit. 

Të gjithë së bashku ata aktrojnë sikur luftojnë në emër të një PD-je, që s’do ekzistonte prej kohësh, sikur Edi Rama dhe Taulant Balla nuk do ta kishin mbështetur me para dhe gjykata, për ta përdorur si një opozitë false.

Nëse kjo butafori, që ata vazhdojnë ta konsiderojnë si Partia Demokratike, ekziston ende, një gjë e tillë ndodh vetëm për shkak se Ramës i duhet diversioni Basha. Ajo është një dhuratë eksluzive për Lulin, në favor të punëve që ai i mbaron pushtetit. 

Pra, në thelb, deputetët që kundërshtojnë zgjedhjet e 29 korrikut duan t'i rrëmbejnë Lulit, me rregullore, statut dhe parime, një gjë atij ka vendosur t’ia falë Edi. 

A mund të ndodhë kjo? Duhet të jesh naiv ta besosh dhe donkishotesk ta provosh.

Po edhe sikur të imagjinojmë të pa imagjinueshmen. Sikur të ndodhë që ata të tregohen me të fortë dhe të arrijnë t’ia rrëmbejnë Lulit dhe një grushti ushtarësh të tij atë që pretendojnë. Çfarë do fitonin kur dihet se një shumicë dërrmuese demokratësh ka vendosur se PD-ja e vërtetë është diku tjetër. A do pranonte të bëhej grupi më i ri anti-bashë trashëgimtar i një fraksioni me vulë nga pushteti? Beteja e tyre nuk është as praktikisht reale, as ndershmërish morale.

Në këtë kuptim, Lulzim Basha është më koherent dhe më i qartë në synimet e tij. Atij Rilindja i ka dhënë një vulë në dorë dhe për ta futur atë në xhep nuk ka nevojë, as për demokraci të brendëshme, as për pallavra me statut. Ai po ndjek të njëjtën rrugë që nisi kur përjashtoi personalisht Berishën, kur bashkoi votat me socialistët, kur organizoi kuvend me figurantë me mëditje, që i numëronte Jemini, kur dha dorëheqjen pa tërhequr emrin nga regjistri i partive, kur falsifikoi letrën për të lënë trashigimtar elektoral Alibeajn.  

Ai është i qartë për hapat që ka hedhur dhe i di dhe përfitimet që pret t’i kthehen. Prandaj ai do të vazhdojë në këtë drejtim. Këtu absurdë janë ata që flasin për demokraci në një çetë që nuk është më parti. Dhe sado që luftojnë në këtë kah, aq më anormalë duken. Pikërisht për këtë duhet ta lënë Bashën në fatin e vet, për të cilin, deri në gjysëm të rugës, koontribuan dhe ata që të jetë ky i sotmi. /Lapsi