IDE, 7 Korrik 2023, 22:49

Ra ky "mort" e nuk u pamë!

Ra ky "mort" e nuk u pamë!

Vëllezërit kanë ngrirë

Kryeministri i Shqipërisë darkon me Presidentin e Serbisë, por nuk takon, me gjithë lutjet e thirrjet në kanun, Kryeministrin e Kosovës. Ajo që dukej e pamendueshme u bë e pashmangshme. Shkaku është qëndrimi i Edi Ramës për krizën në Veri të Kosovës, por rrënjët e krizës janë më thellë.

Mungesa e shtrëngimit të duarve mes dy liderëve është maja e ajsbergut të problemeve dhe keqkuptimeve të krijuara gjatë këtyre 3 dekadave në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë gjithçka të përbashkët.

Kriza nuk shpjegohet vetëm me raportet më të mira që ka Kryeministri i Shqipërisë me Presidentin e Serbisë.

Kriza aktuale shkon përtej konfliktit në Veri të Kosovës, përtej marrëdhënieve të mira që ka Tirana me Beogradin dhe përtej përplasjes së personaliteteve të forta të Kurtit me Ramën. Nuk mjafton një foto për të mbuluar shtratin e problemeve dhe kriza nuk zgjidhet as me referimet në Kanunin e Lekë Dukagjinit as me mbylljen në shtëpi si Oso Kuka.

Është koha për një bisedë me të hapur dhe më të sinqertë!

Kriza e komunikimit

Përdorimi i twiterit, diplomacia e megafonit dhe trollet on line dëshmojnë jo vetëm krizën në komunikim, por edhe mungesë dëshire për të tejkaluar situatën e majisur prej kohësh.

Retorika “tradhëtar” vs “patriot”, “mik” vs “armik” e deri te idiotësitë e shprehura në thirrje publike “mos shkoni në plazhet e Shqipërisë” janë tregues se sa larg kanë shkuar punët mes “vëllezërve”. Vëllezërit kanë ngrirë.

Kriza është edhe problem komunikimi. Dhe në kushtet kur dy qeveritë drejtohen nga dy liderë të fortë (secili ka përballë një opozitë më të dobët se tjetri), personalizimi i shtetit, bën që edhe dielli edhe retë të varen nga humori i dy personaliteteve.

Kriza e sotme është në kontekst të krizës më të madhe që po kalon Kosova që nga çlirimi i vendit.

Në Prishtinë janë të befasuar disa herë me qëndrimin zyrtar të Tiranës.

Ideja e Ballkanit të Hapur u shpall nga Kryeministri Rama, në tetor të 2019 pas asnjë konsultim me udhëheqjen e Kosovës. Në Prishtinë nuk është e lehtë të kuptojnë as përkrahjen/përfshirjen indirekte në projektin e shkëmbimit të territoreve dhe aq më pak dobinë e Ballkanit të Hapur.

Ballkani i Hapur është sot kapitull i mbyllur, por janë katër vite mos kuptim në Prishtinë pse Shqipëria ndodhet në krah të Serbisë dhe karshi Kosovës!

Anullimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive me pretekst “formatin e bisedimeve” ishte një tjetër befasi e pakëndshme. Dhe në kulmin e krizës në Veri të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë u soll më shumë në rolin e një negociatori rajonal/ndërkombëtar të pa kërkuar. Mundet që privatisht ai të ketë luajtur rolin e avokatit të Kosovës, por publikisht u shfaq si prokuror apo si zëri më vokal në paralajmërimet se “po nuk bëtë këtë, do t’iu pres kjo”. Paraqitja e projektit të asosacionit, u bë pa vënë në dijeni Kryeministrin e Kosovës dhe propozimi publik për Konferencë ndërkombëtare u bë pa asnjë konsultim dhe sqarim çfarë synon dhe cilat do të jenë modalitetet e këtij aksioni.

Vëllai i madh dhe vëllai i vogël

Ibrahim Rugova, ende pa u shpallur Kosova Republikë e shihte të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës si “dy vëllezër” që secili ka shtëpinë e tij.

Por Kosova nuk duhet të trajtohet dhe të ndihet si vëllai i vogël karshi vëllait të madh. Vëllai i madh nuk është kujdestar i të voglit dhe i vogli nuk ka pse të ketë pritshmëri çfarë po bën vllau për mua. Koha e “shteti amë” i përket historisë.

Janë dy vëllezër që secili ka çatinë më vete dhe duhet të kujdesen që të mbështesin njëri-tjetrin në të mirë e në të keq dhe jo të diktojnë apo të krijojnë pritshmëri jo realiste. Ndërtimi i çatisë nënkupton që si Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete funksionale, të parashikueshme dhe nën sundimin e fortë të ligjit dhe institucioneve. Me një fjalë sfida si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë është: shteti!

Koha kur Tirana shihej dhe vlerësohej në qendrat vendim marrëse në Perëndim si ndikues i rëndësishëm te faktorët shqiptarë në rajon dhe veçanërisht në Kosovë ka marrë fund. Nuk është më as 1991,(hapja e Shqipërisë) as 1999 (lufta e Kosovës) dhe as 2008 (shpallja e Pavarësisë se Kosovës)

Nuk është koha që “vëllai i madh t’i jap porositë e të tjerëve “vëllait të vogël”, por është koha e koordinimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke për të qenë në mos një zë i unifikuar, të paktën i koordinuar.

Interesat e ditës, si ushqim për krizën

Nëse pyet sot në Prishtinë apo në Tiranë se cila është e ardhmja e dy vendeve pas 10, 20 apo pas 50 vitesh nuk është e lehtë të marrësh përgjigje.

Historikisht kanë qenë interesat politike të ditës që kanë dominuar/dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Interesat e ngushta ditore për konsum të brendshëm kanë nxitur pakënaqësi, kanë rritur keqkuptimet dhe kanë helmatisur mjedisin dhe realitetin virtual.

Ishin interesat e ditës (partiake) që e kanë shtyrë dikur Ramën që projektin më të madh që lidh dy vendet, rrugën e Kombit, ta quaj “rruga që nuk të çon askund” apo të bënte hesape se sa shkolla do të ishin ndërtuar po të mos bëhej rruga. Duke parë vetëm interesat e “gardhit” të vet, Shqipëria ka vendosur të vetmen taksë në rrugë, atë të rrugës së Kombit dhe pavarësisht se gjithë kryeministrat e Kosovës kanë kërkuar ose heqjen ose kontribut të përbashkët nga buxhetet respektive që të mos rëndohen qytetarët, thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër në Tiranë!

Ishin po interesat partiake që çuan Vetvendosjen e Kurtit në futjen në garë elektorale në Tiranë duke krijuar situatën paradoksale që Kryeministri i Kosovës të jetë në opozitë në Shqipëri! Përpjekjet për të ndikuar në lojën politike të vendeve respektive ka grumbulluar mjaftueshëm hidhni!

Historitë e marrëdhënieve personale mes liderëve këtej dhe andej kufirit më shumë kanë prodhuar lajme negative (Rama është konfliktuar pothuaj me të gjithë kryeministrat e Kosovës, dhe po të gjithë i ka shpallur miq personalë).

Të dy vendet kanë si objektiv anëtarësimin në BE dhe tashmë të dy vendet (më në fund) duan edhe procesin e Berlinit. Në thelb, të tregut të përbashkët europian dhe atij rajonal janë katër liritë; liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve.

Megjithëse dy vendet kanë nënshkruar afro 200 marrëveshje, ende, pas 15 viteve që Kosova shpalli pavarësinë, nuk është arritur të kemi me njëri -tjetrin, katër liritë që synojmë t’i arrijmë në rajon dhe në BE.

Gjatë këtyre dekadave në liri dhe komunikim me njëri tjetrin nuk kemi mundur të bëjmë “europianizimin”, duke e nisur nga pamundësia e qarkullimit të lirë të librit deri te investimet e munguara strategjike.

Po të mos kishim Adriatikun dhe Jonin a thua do të ishim parë kaq shumë mes nesh?