IDE, 13 Korrik 2023, 22:08

Rama nuk mbrojti Kurtin, por parlamentin pa opozitë

Rama nuk mbrojti Kurtin, por parlamentin pa opozitë
Rama i goditur me bojë nga një deputet i PD-së

Kryeministri Rama dënoi sot sjelljen e opozitës në Kuvendin e Kosovës që ishte pjesë e sherrit të dhunshëm, duke mbajtur anën e Kurtit, të atij që këto javët e fundit e ka bërë më të zi se vetë Vuçiçi për gjendjen e rëndë të sigurisë në veri të vendit . Kryeministri i Shqipërisë u ngut të dënojë opozitën edhe pse shkëndijën e parë të përleshjes e ndezi veprimi fëminor dhe militantesk i zëvendëskryeministrit Bislimi, që hoqi një pankartë ku Kurti ironizohej si Pinoku, lidhur me përgjimet mes shefes së grupit parlamentar të VV-së dhe nënkryetarit të Listës Serbe.

Mbrojtjen indirekte ndaj homologut të Kosovës Rama e bëri ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë, paralelisht me atë të Kosovës, pati përplasje mes shumicës dhe opozitës për dhënien e lejes së arrestimit nga Legjislativi të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i akuzuar për aferën e inceneratorëve. Opozita, përveç lejimit me urgjencë të arrestimit, kërkoi me forcë edhe praninë e kryeministrit Rama, që prej vitesh e ka bërë normë të mungojë, në seancat me rëndësi politike për vendin.

Si për ironi të faktit, paralelja e kuvendeve Kosovë-Shqipëri, tregon një hendek të thellë demokracie mes dy vendeve.

Kurti shkoi në Kuvendin e Kosovës, ku ka shumicën, edhe pse e dinte se do të kishte tension, meqë në rend të ditës ishte një bisedë e përgjuar mes Kusari-Lilës dhe një serbi të shpallur si kriminel nga SHBA-të si dhe akuzat e rënda për prishje të marrëdhënieve me SHBA-të dhe BE-në, për veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës shkoi dhe mbrojti veprimet e qeverisë së tij.

Në Shqipëri, Edi Rama, edhe pse ka një shumicë parlamentare me të cilën po të dojë miraton edhe ligje që kërkojnë shumicë së cilësuar, e ka injoruar Kuvendin dhe nuk ka pranuar asnjë interpelancë. Për skandalin McGonigal u deshën disa javë kërkesa të opozitës që ai të vinte, të mbante një fjalim me akuza nga PD-së prej 51 minutash dhe të ikte sërish pa pritur pyetjet dhe pa dhënë shpjegime për skandalin e ish-agjentit të FBI-së që, veç të tjerash, akuzohet se kishte lobuar kundër PD-së në SHBA.

Rama i ka përjetuar më parë skenat që kaloi homologu i tij në Kosovë, kur Endri Hasa i hidhte bojë blu në fytyrë, kur Monika i hidhte njërën çizme, apo kur gjuhej me çfarë të mundej nga deputetët e opozitës, ndaj i aka marrë dorën dhe nuk është ky shkaku pse ai, prej vitesh nuk ka marrë pjesë, ashtu si edhe sot, në asnjë seancë parlamentare të rëndësishme, ku flitet për kontrata koncesionesh, akuza për bashkëpunëtorët e tij etj. Ai thjesht i ka refuzuar, duke treguar se për të opozita në Kuvendin e Shqipërisë nuk ekziston, dhe nuk e llogarit fare. Ndaj edhe sot, u detyrua të “përqafojë” Albinin, që të njëjtin  fat të ketë edhe opozita në Kuvendin e Kosovës.