IDE, 10 Nëntor 2024, 14:42

Fitorja e Trump, frymëmarrje e re për SPAK dhe Drejtësinë e re

Fitorja e Trump, frymëmarrje e re për SPAK dhe Drejtësinë e

Rikthimi i ish-Presidentit Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë është një ngjarje botërore në të cilën Europa, ku bëjmë pjesë, dhe gjithë vendet e botës lexojnë efektet, dobinë apo dëmin në shtëpinë e tyre.

Kjo sepse SHBA-të, “do të vazhdojnë ta udhëheqin botën”, siç pati thënë në fjalën e inagurimit si president në vitin 2001 Xhorxh Bush i Riu, ai që kishte paralajmëruar në fushatë tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, por që hyri në histori si nuni i pavarësisë së Kosovës.

Narrativat izolacioniste të republikanëve në SHBA reflektojnë rëndom nuacime politike-elektorale të brendshme. Por kur vijnë në pushtet Presidentët republikanë janë në politikën e jashtme njëlloj si homologët e tyre demokratë. Madje më të vendosur e më të drejtëpërdrejtë herë-herë.
Dhe s’mund të jetë ndryshe. SHBA janë ngritur si superfuqi ekonomike, politike dhe ushtarake duke fituar permes konkurencës dhe shkëmbimeve në nivel global. Sovranizmi i tyre është fuqia në hapje. SHBA-të i thërret kudo fati i demokracisë, ëndrrra e një bote të lirë, së cilës nuk mund të mos i përgjigjen. Shurdhëria dhe mbyllja është për ta si të prisnin degën ku rrinë.

Kjo parantezë e shkurtër mund të ilustrohet me plot shembuj nga historia, ku nuk mungojnë shembujt e mandatit të parë të presidentit Tramp gjatë viteve 2016–2020. Për të mos shkuar larg nëpër botë, mjafton të kujtojmë se përgjatë këtij mandati ndëmjetësimi amerikan për vendosjen e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e njohjes reciproke prodhoi një skenë të panjohur për t’u mbajtur mend me takimin në zyrën Ovale mes Presidentit serb, Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosoëvs, Hoti. Me ç’rast Kosova siguroi njohjen si shtet i pavarur nga Izraeli.
Këtu në Shqipëri administrata e Presidentit Tramp ndoqi pikë për pikë plotësimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke sfiduar një strategji përpjekjesh të opozitës për ta anulluar, devijuar, vonuar, dobësuar. Kukullat e Berishës u përqeshën në orvatjen e tyre alashqiptare për ta paditur Reformën në Drejtësi si një vepër të armikut të Presidentit Tramp, Xhorxh Soros, me shpresë se Presidentit do t’i bëheshin nervat tel e do të urdhëronte hedhjen në kosh të veprës djallëzore të armikut.

Në fakt u vetpaditën si intrigantë të keqkuptuar me mënyrën si funksionojnë SHBA-të dhe me vetë arsyen e thellë të bashkautorësisë amerikane në hartimin dhe zbatimin e reformës sonë në drejtësi.
Lufta kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri do të vijojë të jetë një përparësi e politikës së jashtme të SHBA-ve. Ky nuk është vetëm një arsyetim i mbështetur në preçedentë dhe në çfarë është arritur deri tani. Më shumë se kaq, është një premtim dhe angazhim programor i vetë Presidentit Tramp që u shpall nga fushata e tij në radion Zëri i Amerikës pak ditë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nga ky këndshikim, pyetja numër një që ka ngritur në vendin tonë rikthimi i i Tramp, ajo “ç’do të ndodhë me SPAK dhe me Drejtësinë e Re?”, e ka marrë përgjigjen. Me çfarë mund të luftohet korrupsioni më mirë se me SPAK-un dhe drejtësinë tashmë në veprim? Jo rastësisht, si për t’u ridhënë siguri institucioneve dhe publikut të gjerë në një anë dhe një mesazh iluzionistëve se me kthimin e Tramp historia do të kthehet prapa, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHor deklaroi dje në një takim se sa herë takohem me zyrtarë të qeverisë, një nga gjërat që theksoj vazhdimisht është se reforma në drejtësi është e pakthyeshme.

Tashmë nuk është e panjohur se kasta jonë plurale solidare e establishmentit çerek shekullor ka pritur fitoren e Tramp, duke u takuar të gjithë në shpresën se një ndryshim në Shtëpinë e Bardhë do t’u japë minimalisht kohë dhe maksimalisht dakordësi për të zhbërë reformën në fuqi duke e zëvendësuar me një tjetër “më të re”.
Berisha dhe Meta e kanë dëshiruar natyrshëm, hapur dhe mirëkuptueshëm fitoren e Tramp. E kundërta do të ishte absurde për pozicionin dhe problemet e tyre. Sepse janë në hetim nga SPAK; sepse pretendojnë të jenë në hetim për arsye politike në shtytjen e njerëzve të administratës së Presidentit Biden, duke kërkuar në ketë rrafsh analogji me historitë e Tramp me drejtësinë amerikane. Nga ky këndvështrim, fitorja e Tramp do të pritej vërtetë si një dhuratë nga qielli për ta.

Nga ana tjetër, përgjatë një regbie të pafituar me zyrtarët amerikanë për akses në punën e SPAK dhe drejtësisë së re, kryeminstri Rama u vetëdijësua se me fitoren eventuale të Kamala Harris shpresat e tij për të ndaluar hovin e SPAK, apo “Rebublikën e prokurorëve”, siç ka thënë vetë, do të merrnin një goditje përfundimtare me kosto për të.
Në këtë kontekst, duhet thenë se Rama e ka luajtur me guxim, turk e trim, siç thotë një shprehje e popullit, bastin e tij në favor të fitores së Tramp. Faktet janë disa. Kemi shkruar për to dhe nuk po u marr kohë lexuesve duke i përsëritur.
Sot mund të themi se i doli basti dhe tani shpreson në një ndryshim kursi në lidhje me drejtësinë. Natyrisht në emër të forcimit të mëtejshëm të drejtësisë! Retorika nuk ka asnjë vështirësi jo vetëm t’i maskojë, por edhe t’i shesë si sapunin për djathë qëllimet e një interesi të ngushtë, personal, të dëmshëm për interesin publik.
Mos u gëzo, o i gëzuar, mos u hidhëro o i hidhëruar, thotë fraza e famshme e shkrimeve të shenjta.

Ashtu siç nuk pagoi asgjë me ardhjen e Trampit në pushtet vitin 2016, kur nga pozita e kryeministrit të Shqipërisë e kishte anatemuar atë si rrezik për planetin, po ashtu nuk do të përfitojë asgjë personalisht nga basti pro Tramp këtë herë.
Krejt ndryshe nga logjika e lidhjeve të shkurtëra që bëhen në sferat e larta në Tiranë, mbushur me ëndrra në diell dhe spekullime lloj-lloj, SPAK dhe drejtësia e re pritet që me fitoren e Tramp të përjetojnë një frymëmarrje të re, një zgjerim të diapazonit të guximit për të çuar ligjin, hetimin dhe gjykimin kudo ku është vepra penale, kushdo qoftë personi që e ka kryer, kësaj radhe me fokus edhe më të madh nga krahu i zyrtarëve të lartë në pushtet, pa lënë në harresë ish-ët.

Nuk ka e nuk do të ketë të paprekshëm aty ku ka krim. Kushdo qoftë. Kështu do të marrë përgjigjen e duhur edhe çështja e ballancimit pushtet-opozitë të hetimeve dhe gjykimeve.

Jo duke pushuar çështje që nuk meritojnë të pushohen për ish-zyrtarët e lartë në opozitë. Duke hapur çeshtje që meritojnë të hapen për të ngjashmit e tyre në krahun e qeverisë.