IDE, 21 Maj 2023, 14:19

Çfarë e kompromenton alibinë e opozitës?

Çfarë e kompromenton alibinë e opozitës?

Zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, do të mbahen mend për numërimin dramatik në Bashkinë e Tiranës. Pas një procesi të vështirë, koalicioni Berisha-Meta, me kandidat Lulzim Bashën, në finish humbi me 10 vota diferencë përballë Kryetarit të opozitës, Edi Rama, që ishte edhe kandidati për mandatin e katërt.

Ishte rasti kur Qeveria nuk e pranoi rezultatin, KQZ shpiku votat e hedhura gabim dhe rihapi kutitë, për të zhvilluar një proces të paprecedent, për nga turpi dhe nga manipulimi. Kështu Lulzim Basha mori Bashkinë e Tiranës, Rama e humbi pavarësisht votës së popullit, opozita u zhyt në dëshpërim përballë një akti të paprecedentë të manipulimit të ndjekur në lidhje direkte nga publiku nëpërmjet televizioneve informative.

Vetëm dy ditë më vonë, një gazetë opozitare, e lidhur ngushtësisht me Edi Ramën, befasoi me titullin kryesor, që kërkonte një tjetër lider të opozitës, më të fortë, të aftë për të përballuar një pushtet që manipulon dhe abuzon.

Lideri i opozitës së atëhershme, megjithëse fitoi shumicën e bashkive dhe komunave, megjithëse e fitoi Tiranën dhe ia morën, ishte në krizë besimi.

E njëjta histori në 2009, kur Ben Blushi i kërkoi dorëheqjen pas humbjes së ngushtë 70 me 66, ku, po të llogariteshin deputetët e LSI, mund të quhej barazim. LSI vendosi të kalonte me Berishën dhe Rama mbeti në opozitë, për t’u kontestuar nga një pjesë e partisë që nuk e shihte fitoren tek ai.

Humbja e zgjedhjeve, edhe kur janë manipuluar, edhe kur janë blerë, ka shkaktuar gjithmonë krizë në opozitë.

Edhe në PD në 2001, Berisha u vu në pikëpyetje. Sot është përsëri Berisha, me një humbje më pak të rëndësishme, por më të thellë, me zgjedhje shumë më të kontestueshme, nën një presion akoma më të madh.

Është humbja e gjashtë radhazi për opozitën, janë zgjedhjet e gjashta anormale për një vend demokratik dhe normale për Shqipërinë.

Për këdo që sheh sot me skepticizëm aftësinë e Berishës për të ardhur në pushtet, ka argumente pro dhe kundër. Fushatën kundër largimit e drejton vetë Berisha, që çdo ditë del në konferencë shtypi për të denoncuar zgjedhjet dhe intimiduar gazetarët që e kërkojnë përgjegjësinë tek ai.

E vërteta për cilësinë e zgjedhjeve është me të. Rezultatet ishin të paravendosura, pas një procesi të papranueshëm që përpara se të fillonte.

Pasi iu morën kredencialet me vendim gjykate, opozita nuk u lejua as të regjistrohej, votuesit u intimiduan live në TV nga vetë Kryeministri dhe jashtë kamerave dhe vëmendjes së publikut nga të deleguarit dhe drejtuesit lokalë të PS, nga kryetarët në detyrë të Bashkive, nga administrata qëndrore dhe lokale, nga banditët që kishin rrethuar qendrat e votimit me mandat të plotë dhe nga policia që, në rastin më të mirë, mbyllte sytë, ndërsa diku tjetër bashkohej me ta për të mos lejuar votuesit e skeduar si kundërshtarë, t’u afroheshin kutive të votimit.

Dy atentatet që ishin pasojë e zgjedhjeve në Fushë Kuqe dhe Peqin, tregojnë shumë për procesin zgjedhor.

Listat e zgjedhësve që u denoncuan sot nga kryetari i paregjistruar i opozitës, ndikuan në pjesëmarrjen në votime. Berisha e vlerësoi 180 mijë shifrën e atyre që nuk mund të votonin për shkak të listave dhe kujtoi se e ka denoncuar në SPAK këtë rrëmujë të qëllimshme.

Me këto zgjedhje, nën këtë pushtet totalitar, askush nuk mund të fitojë.

Faji i Berishës dhe Metës mund të mos jetë që humbën zgjedhjet në një sistem hibrid ku vota nuk ndryshon asgjë.

Por ishin ata që, nga shtatori 2022 deri në 14 maj, premtuan fitoren spekakolare që dihej se nuk do të vinte. Në vend të së vërtetës, në vend të bashkëbisedimit me qytetarët për ngërçin demokratik që ka shkaktuar Pushteti totalitar, zgjodhën krijimin e një mirazhi të ndryshimit me votë.

E dinin të gjithë që listat e zgjedhësve po përgatisnin një masakër elektorale, bashkë me vendimet e gjykatave dhe të KQZ për ta hequr opozitën nga fleta e votimit, bashkë me paratë e pista që u hodhën në fushatë si pikat e shiut që kapnin të pambrojturit, bashkë me presionin, shantazhin dhe deri tek terrori, por opozita në vend të denoncimit publik dhe marrjes së masave për të inkurajuar votuesit, zgjodhi autosugjestionin e fitores.

Përveç organizimit të keq, që lidhet edhe me trashëgiminë që la Basha në PD, përveç trajtimit të votuesve si publik i një spektakli magjistarësh fitoreshpikës, edhe mesazhi i këtyre zgjedhjeve dështoi të emociononte ndokënd.

PD mund të fitonte dinjitet me humbjen nëse do ta kishte denoncuar sistemin në thelbin e tij, në marrëdhënien Politikë-Biznes -Krim, por hezitoi sepse zgjodhi të ishte pjesë. Flirtoi me biznesmenët e emëruar nga Rama dhe organizatat kriminale të licencuara nga pushteti, me shpresën se ata do të mund ta ndanin mbështetjen përgjysmë.

Sot, të zhgënjyer që vartësit zgjodhën shefat e vjetër, po i denoncojnë, pa asnjë rezultat. Mesazhi dështoi, votuesit kuptuan që, dallimi i vetëm mes palëve është doza e abuzimit dhe përtuan të ulin dozën duke rrezikuar punën apo shëndetin fizik, për të shkuar te kutitë.

Pasi nuk arriti të krijonte kontrastin me pushtetin dhe të bindte njerëzit për një ndryshim të vërtetë, opozita gjendet edhe pa aleatë ndërkombëtarë. Vëzhguesit e huaj në raportin paraprak nuk i kualifikuan zgjedhjet si të lira dhe të ndershme, por asnjë qeveri perëndimore nuk ka folur deri tani për një proces zgjedhor të papranueshëm.

Athina dhe Uashingtoni u shqetësuan për arrestimin e Fredi Belerit, por jo për procesin zgjedhor në tërësi, kërkuan llogari për të drejtat e një shtetasi grek, por jo për shtetasit shqiptarë që nuk u lejuan të shprehin vullnetin me votë.

Kjo opozitë e shtypur brenda dhe e izoluar jashtë, nuk mund ta kalojë me të qara atë që ndodhi, për të marrë një mandat për zgjedhjet e 2025. "Beteja sapo ka filluar" është një parullë e konsumuar tashmë. Nëse nuk ka një betejë, duhet të ketë minimalisht një aksion për ndryshim rrënjësor, një program për 2025, ose një hapje rruge për forca të reja me njerëz që nuk kanë përgjegjësi për 33 vitet e dështimit të vendit./Dosja.al