IDE, 17 Maj 2023, 18:36

Koha që Berisha të rishkruajë historinë…për mirë

Koha që Berisha të rishkruajë historinë…për

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj njoftoi sot dorëheqjen nga detyra e marrë prej mëse një viti, pas disfatës së rëndë të partisë së vulës dhe siglës që nuk arriti të marrë asnjë bashki në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Të njëjtin veprim bëri kryetari ende në letrat e partisë, Lulzim Basha, pasi PD-ja zyrtare nuk arriti të marrë asnjë nga 6 bashkitë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022.

Ka mbetur vetëm Sali Berisha, kryetari de facto i selisë blu, që dy ditët e fundit ka dalë në konferenca shtypi për të lajmëruar qëndresën ndaj qeverisë, faktimin e vjedhjeve të votave dhe dhunimit skandaloz të procesit zgjedhor, edhe pse nga brenda dhe nga jashtë opozitës shumica po kërkojnë vetëm një veprim prej tij: dorëheqjen.

Udhëheqësi historik i opozitës ka në dorë që ende ta shkruajë historinë për mirë, jo vetëm për CV-në e vet, por për partinë që bashkëthemeloi dhe drejtoi dhe për qindra mijëra njerëz që ende e shohin si shpresë për rikthimin e PD-së në pushtet.

Largimi i tij ka vlerë shumë herë më tepër se të gjithë Bashët dhe Alibeajt e marrë së bashku.

Në PD-në e SHQUP-it, prej dy ditësh, thonë se Berisha do ta kishte shumë të lehtë të largohej, nëse do të kishte afër vetes një “Lulzim” si a i 10 viteve më parë, por ai nuk sheh asnjë rrotull dhe nuk ka besim te askush. Por PD-së nuk i duhet një Lulzim tjetër, as një Enkelejd, as Bardh dhe as një Flamur.

Aq më tepër nuk i duhet një Sali. Ai duhet të hapë krahun dhe të respektojë thirrjen e anëtarësisë dhe të bashkëpunëtorëve që prej kohësh kanë folur për një pajtim të madh dhe riorganizim të vërtetë të partisë.

Rithemelimi dhe Primaret e udhëhequra prej tij nuk çuan në bashkimin e demokratëve, të aftë për të ardhur në pushtet, ndërsa fitorja vetëm e 7 bashkive periferike nga 61, tregoi humnerën elektorale ku ka rënë opozita nën drejtimin e Berishës.

Largimi i tij real, jo duke komanduar procesin e zgjedhjes dhe kryetarin dhe nga pas siç bëri me Bashën 9 vite, do të ishte një veprim jo vetëm dinjitoz politik, por edhe patriotik dhe atdhetar për të ardhmen e popullit opozitar në Shqipëri. Opozitës duhet t’i kthehen të gjithë, me “kuç e me maç”, të konkurojnë të gjithë dhe le të fitojë më i miri.

Sali Berisha do të mbushë 8 dekada jetë në vitin 2025, kur janë zgjedhjet parlamentare dhe Zoti i dhëntë shëndet dhe forcë si sot. Por ai e ka kryer misionin e tij, ka hyrë në histori për mirë e për keq, ka marrë çfarë ka dashur nga jeta, fëmijët kanë vënë pasuri dhe katandi.

Ca orekse të pafundme interesash të vogla për real-estate apo llogarish bankare janë shumë të parëndësishme përpara interesit kombëtar dhe ai duhet ta ndjekë këtë rrugë, duke hyrë në histori për mirë, edhe pse nuk e ka të lehtë, nga stërkëmbëshat e atyre që ka më afër e që nuk shohin përtej hundës së tyre.