IDE, 20 Maj 2023, 14:53

Tre mesazhet e qarta dhe shpresëdhënëse të zgjedhjeve lokale

Tre mesazhet e qarta dhe shpresëdhënëse të zgjedhjeve lokale

Mesazhi i parë dhe i qartë i zgjedhjeve lokale ishte refuzimi nga elektorati opozitar i “opozitës së vërtetë” Berisha-Meta. Duhet theksuar ky dimensión sepse berishistët po argumentojnë se kanë marrë 40% apo 500 mijë vota duke llogaritur votat për kandidatët për kryetar dhe duke injoruar votën politike për koalicionin Bashkë Fitojmë (BF). 

Është kjo e fundit, dhe jo vota për kandidatin, që tregon forcën reale politike të dyshes Berisha-Meta. Po ti referohemi kësaj vote del qartë se diferenca mes koalicionit BF dhe Partisë Socialiste është e frikëshme dhe shumë më e madhe se mes kandidatëve të këtyre dy forcave. Ndërkohë diferenca mes BF-së dhe PD-së zyrtare është shumë më e vogël se diferencia mes kandidatëve të tyre. 

Shiko Tabelën 1. 

Tre mesazhet e qarta dhe shpresëdhënëse të zgjedhjeve lokale

Po ti referohemi tabelës së mësipërme rezulton se PS-ja e vetme ka marrë rreth 50% të votës në këshillat bashkiakë ndërsa koalicioni Meta-Berisha ka marrë rreth 21%. Po të kemi parasysh pjesmarrjen tejet të ulët në votimet e 14 majit (rreth 35%) vota politike që ka marrë koalicioni Berisha-Meta bie në rreth 15% të elektoratit nëse pjesmarrja në zgjedhje do ishte pak më normale, në rreth 50%.

Kjo është pesha reale politike e asaj që sot krenohet si “opozita reale” apo “opozita më e madhe” që do rrëzojë pushtetin socialist në vitin 2025. Është një peshë tejet e vogël për të prodhuar alternativë qeverisëse ndaj pushtetit socialist. 

Mbi të gjitha është një projekt në degradim politik, moral dhe elektoral, pasi ka kundër kohën, elektoratin dhe faktorin ndërkombëtar. Ndaj me shumë gjasa dyshja Berisha-Meta do marrë edhe më pak mbështetje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. 

Kjo për arësyen e thjeshtë se Berisha dhe Meta nuk humbën sepse iu vodh vota, por sepse u bojkotuan masivisht nga elektorati opozitar. Duhet theksuar ky mesazh për të gjithë ata që sot kërkojnë largimin e aktorëve opozitar në grup. Thirrja për dorëheqjen e të gjithëve në kampin opozitar thjesht mbulon refuzimin që elektorati i bëri dyshes Berisha-Meta, duke e trajtuar njësoj Berishën, Metën dhe Roland Bejkon. 

E vërteta është se bojkoti i elektoratit opozitar nuk ishte kundër Arlind Qorrit apo Roland Bejkos, që një pjesë e mirë e elektoratit ende nuk i njeh. Nuk ishte as kundër PD-së zyrtare që ende nuk ka identitet politik. Bojkoti opozitar ishte kundër Berishës dhe Metës sepse ata morën përsipër protagonizmin dhe monopolizimin e opozitarizmit politik në Shqipëri duke denoncuar çdo alternativë opozitare si tradhëti. 

Këtu qëndron ndryshimi themelor mes berishizmit dhe aktorëve të tjerë politikë opozitarë që edhe pse sot janë të vegjël nesër mund të rriten. Ky është dimensioni shpresëdhënës i refuzimit të qartë të berishizmit dhe metizmit nga elektorati opozitar. Ai hap rrugën e renovimit politik dhe moral të klasës sonë politike, duke filluar nga opozita. Elektorati opozitar hodhi poshtë idenë e çuditëshme se korrupsioni i Ramës eleminohet me korrupsionin e Metës apo se berishizmi do na çlirojë nga autoritarizmi i pushtetit aktual.

Në këto kushte thirrjet apo lutjet që i bëhen sot Berishës të largohet apo të lejojë bashkimin e demokratëve nuk kanë më kuptim. Berisha nuk ka ndërmend as ta lexojë dhe aq më pak ta zbatojë vullnetin e elektoratit shqiptar. Ai prej kohësh i ka nxjerrë gishtin e mesit votuesit shqiptar që në shumicën dërrmuese e ka refuzuar. 

Detyra e aktorëve opoztarë sot është të krijojnë një alternativë qeverisëse që ngjall shpresë tek ato qindra mijëra votues opozitar që nuk dalin të votojnë prej Berishës dhe Metës. Kjo nuk arrihet as me bashkëpunim, as me mirëkuptimin dhe aq më pak me lutje ndaj berishizmit por me përballje politike, duke i treguar çdo ditë shqiptarëve se dyshja Berisha-Meta është paterica elektorale dhe qeverisëse e pushtetit të Ramës.  

Në fakt ky ishte mesazhi i dytë i qartë i zgjedhjeve lokale. Arma “sekrete” e Edi Ramës nuk është makina elektorale socialiste, nuk është gjenialiteti i tij politik, nuk është vjedhja e votës, dhe aq më pak fushata elektorale që bëri. 

Edhe pse studiot televizive janë mbushur me adhurues të gjenialiteti politik të Ramës, e vërteta është se fushata e elektorale e Partisë Socialiste ishte mjerane. Mjafton të kujtojmë refrenin e këngës së fushatës elektorale socialiste  “Hej ça bo, hajde festo!” për të rrokur banalitetin e saj.

“Arma sekrete” e Ramës si në zgjedhje edhe në pushtet është dyshja Berisha-Meta. Pikërisht për këtë arsye fushata e tij nuk u mor fare me problemet lokale por u tha shqiptarëve:  “O unë, o Berisha/Meta”. Kjo ishte e gjithë fushata elektorale e socialistëve në të gjithë Shqipërinë. Kaq mjaftoi që Rama dhe Partia Socialiste të fitonin thellë. 

Dyshja Berisha/Meta është një bekim i dyfishtë për Ramën, si në qeverisje edhe në zgjedhje. Në qeverisje kjo dyshe shërben si incenerator i çdo skandali apo kritike të arësyeshme ndaj qeverisë Rama. Kritika e fortë që mund ti bëhet politikës së jashtëme të Ramës për aventurën e tij me Vuçiçin tek nisma e “Ballkanit të Hapur” shkërrmoqet sapo e artikulon Berisha, i cili i ofron shqiptarëve një politikë të jashtëme ku qeveria shqiptare është në konflikt të hapur me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe BE-në. Po kështu denoncimi i skandalit të inceneratorëve bëhet shkrumb e hi në gojën e Metës/Kryemadhit pasi në qendër të këtij skandali ndodhet ish ministri i LSI-së Lefter Koka. 

Makineria Berisha/Meta jo vetëm i bën lavazh qeverisjes Rama, por edhe i garanton asaj fitore të thella elektorale pasi jo vetëm dekurajon votën opozitare, por edhe mobilizon votën socialiste. Ka me mijëra socialist që nuk janë të kënaqur me qeverisjen aktuale. Megjithatë sapo Rama u nxjerr foton Berisha-Meta ata dalin me vrap të votojnë. 

Ama fitorja e thellë e Ramës dhe e PS-së nuk ishte plebishitare. Ajo ishte thjesht produkt i bojkotit të zgjedhjeve. Edhe në bastionet si Vlora, ku PS fitoi 70% të votës pjesmarrja në zgjedhje ishte mbi 25%. Pushteti aktual nuk ka një mbështetje mbarë-popullore sikurse propogandon Rama. 

Ai mbahet thjesht nëpërmjet patericës Berisha-Meta që dekurajon votën opozitare, mobilizon votën socialiste dhe pengon çdo përpjekje për krijimin e një alternative opozitare. Në fakt ky është funksioni politik themelor i dyshes Berisha/Meta, lufta kundër alternativës opozitare dhe jo rrëzimi i pushtetit të Ramës. Ky është mekanizmi kryesor që mban në pushtet “regjimin Rama”.

Ndaj “regjimi” Rama nuk ekziston në sensin e një sistemi politik dhe ideologjik që ka mbështetje të gjerë dhe të thellë popullore. Në këtë aspekt Rama është shumë ndryshe nga Viktor Orban në Hungari apo Erdogan në Turqi të cilët kanë ndërtuar regjime politike, ekonomike dhe ideologjike që kanë transformuar thellësisht ekonominë, shoqërinë, kulturën, institucionet politike dhe identitetin kombëtar në vendet e tyre. Për pasojë kanë rrënjë të thella në popull. Mjafton të kujtojmë që pas dy dekadash në pushtet Erdogani në Turqi mori pothuajse 50% të votës në zgjedhje ku pjesmarrja ishte 90%. 

Miti i Ramës si super-politikan i pathyeshëm, me një super makineri politike, është prodhuar nga Rama dhe Berisha sepse u bën punë të dyve: forcon Ramën brenda PS-së dhe justifikon dështimet e Berishës në opozitë. Zgjedhjet aktuale treguan qartë se fitorja Ramës nuk ka lidhje as me gjeninë e tij politike, as me regjimin që ka vendosur, dhe as me vjedhjen e votës. Ajo është thjesht produkt i bojkotit masiv të elektoratit opozitar dhe i mobilizimit të elektoratit socialist. 

Pushteti aktual fitoi shumicën e votuesve, por jo të elektoratit. Ka një shumicë elektorale që është thellësisht e pakënaqur por që nuk del të votojë. Ky është një fakt shpresëdhënës sepse tregon se një opozitë alternative dhe e pakorruptuar mund ta mobilizojë këtë elektorat dhe mund ta rrëzojë “regjimin Rama” që prej kohësh tregon shenja lodhje. Elektorati opozitar tashmë është shumicë, ai thjesht është i papërfaqësuar.  

Pikërisht për këtë arësye dalja e aktorëve e rinj politik si Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit është një mesazhi i tretë sa i qartë edhe pozitiv i zgjedhjeve lokale. Në një fushatë të dominuar nga dinosaurët politik, nga mediat dhe bizneset e tyre, Lëvizja Bashkë dhe kandidati i saj Arlind Qorri patën një rezultat mjaft të mirë, duke marrë rreth 14 mijë vota në Tiranë. 

Në një sistem politik ku të gjithë aktorët politik janë të djathtë, sepse përfaqësojnë interesat e elitës politiko-mediatike-ekonomike është një lajm i mirë që më në fund shfaqet një parti e majtë dhe anti-elitiste që përfaqëson shtresën e mesme dhe atë në nevojë. Pas 30 vitesh tranzicion më fund në Shqipëri po shfaqet një force e majtë që vjen jashtë klasës sonë politike thellësisht të degraduar. 

Ky është një tjetër zhvillim shpresëdhënës se më në fund politika shqiptare mund të rinovohet jo thjesht në njerëz por edhe në ide dhe debate. Një opozitë ndryshe, që bën kritikë jo thjesht denoncim, që ofron alternativë qeverisëse dhe jo thjesht riciklim. Që përfaqson interesat e shumicës së qytetarëve dhe jo thjesht të ndërtuesve të mëdhenj. 

Natyrisht shumë prej lexuesve në këtë pikë do më thonë që optimizmi im është i tepruar ndërsa shpresa e ekzagjeruar. Shumë do më thonë se “nuk je me këmbë në tokë, po fluturon!”. Atyre u them se ka momente kur duhet të përpiqesh të fluturosh që të mos zvarritesh. Dëshpërimi dhe pesimizi janë elementet bazë që e mbajnë gjallë klasën tonë politike dhe që tërheqin zvarrë prej dekadash elektoratin shqiptar. 

Pesimizmi qëndron në themel të idesë së Edi Ramës dhe mbështetësve të tij se qeverisja aktuale me gjithë defektet e saj është më e mira e mundëshme në kushtet e Shqipërisë. I njëjti pesimizëm ushqen idenë simetrike berishiste se në kushtet e Shqipërisë opozita Berisha-Meta është më e mira e mundëshme, me gjithë difektet e saj. 

Ndaj optimizmi sot nuk është emocion por akt politik dhe detyrim qytetar, nëse duam të dalim nga këneta politike ku ndodhemi prej dekadash. Bojkoti masiv i zgjedhjeve lokale është një mesazh i qartë se elektorati kërkon renovimin e klasës politike dhe jo riciklimin e saj. Elektorati opozitar e ka kuptuar se vota për dyshen Berisha/Meta përjetëson Ramën në pushtet. 

Është fat dhe burim shprese të kesh një elektorat me standarte dhe inteligjencë politike më të lartë se elita jonë mediatike, ekonomike, politike dhe intelektuale që prej dekadash i servir të njëtën çorbë bajate zgjedhësve shqiptarë duke i thënë: “haje se s’ka më mirë se kaq!”/Lapsi.al/