IDE, 30 Maj 2023, 12:07

Eliminimi i Akademisë së Albanologjisë, qokë politike për dinozaurin Skënder Gjinushi

Eliminimi i Akademisë së Albanologjisë, qokë politike

Vendimi i fundit i Ministrisë së Arësimit për të mbyllur Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) është skandaloz në të paktën tre nivele.

Së pari, mbyll një nga të paktat institucione që ka prodhim akademik cilësor si brenda edhe jashtë Shqipërisë.

Së dyti, kalon buxhetin dhe asetet e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) tek Akademia e Shkencave ku prodhimi akademik ose del në pension ose vdes.

Së treti, mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) nuk bazohet në ndonjë logjikë akademike apo studimore por është thjesht një qokë politike për të kënaqur orekset financiare të njërit prej dinozaurve më të lashtë të skenës sonë politike, kryetarin më politik që ka pasur ndonjëherë Akademia e Shkencave, Skënder Gjinushin.

Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike nënkupton mbylljen e katër institucioneve kërkimore që e përbëjnë atë, Institutin e Antropologjisë, Institutin e Historisë, Institutin e Arkeologjisë, Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë si dhe Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare. Nënkupton ndërprerjen e karrierës së rreth 100 studiuesve, mbylljen e shtatë revistave akademike si dhe mbylljen e rreth 49 projekteve kërkimore me partnerë akademik ndërkombëtar në Evropën Perëndimore.

Është një aktivitet intensiv akademik që nuk mund të kryhet në kuadrin e Akademisë së Shkencave, jo thjesht sepse kjo e fundit është kthyer në një klub qokash, por sepse ligji i arsimit të lartë nuk e lejon të ngrejë institute kërkimore.

Por nuk kemi të bëjmë thjesht me një humbje sasiore të prodhimit akademik shqiptar, por mbi të gjitha me një humbje cilësore. Është e vështirë të gjesh në institucionet e arsimit të lartë shqiptar profesorë që botojnë në anglisht në revista prestigjioze ndërkombëtare. Është akoma më e rrallë të gjesh akademik që marrin pjesë në projekte kërkimore në partneritet me universitetet evropiane, apo që japin mësim në universitete prestigjioze perëndimore. Të gjitha këto i gjen tek Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA). Ndaj ajo është një nga rrezet e pakta të shpresës në panoramën e zymtë të akademisë shqiptare.

Nuk është rastësi që në vendimin e Ministrisë së Arsimit për mbylljen e ASA nuk përmendet fare prodhimi i saj akademik. I vetmi justifikim që jepet është se ASA nuk është strukturuar mjaftueshëm. Është një justifikim i trashë sepse zgjidhja që ofrohet nga Ministria e Arsimit nuk ka fare lidhje me problemin që po kjo ministri identifikon. Nëse Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) ka nevojë për ristrukturim atëherë përse duhet shkrirë tërësisht dhe çuar tek Akademia e Shkencave që nuk ka as kapacitetet dhe as strukturën e nevojshme për të zhvilluar kërkim shkencor intensiv?

Është një vendim tejet regresiv, sidomos për një qeveri që pretendon se ecën vetëm përpara, sepse i kthen studimet albanologjike tek Akademia e Shkencave sipas logjikës centralizuese sovjetike dhe komuniste. Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) u krijua në vitin 2008 pikërisht për të çliruar studimin e shoqërisë shqiptare, të kulturës dhe historisë së saj nga zgjedha e mykur e Akademisë së Shkencave. Studimet Albanologjike u nxorën nga Akademia e Shkencave për tu ajrosur dhe modernizuar.

Është nga të paktat reforma të shkencës sonë që ka pasur sukses. Këtë e tregon jo vetëm prodhimi i bollshëm akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), por edhe dhjetëra projekte kërkimore me partner serioz ndërkombëtar. Dhjetëra studiues të rinj që po e nxjerrin etnografinë shqiptare nga errësira e shekullit të 19-të në dritën e antropologjisë së shekullit 21. Në aspektin akademik ASA është shumë më produktive, moderne dhe e integruar në akademinë ndërkombëtare se Akademia e Shkencave që e drejton politikani Gjinushi.

Prandaj shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe e instituteve të saj brenda strukturës komunisto-sovjetike të Akademisë së Shkencave që kontrollohet nga një politikan nënkupton vdekjen e vetë fushës së studimeve Albanologjike. Akademia e Shkencave nuk ka as tagrin e nevojshëm ligjor, as strukturën e nevojshme për të prodhuar kërkim shkencor cilësor dhe as vokacionin apo interesin akademik për të zhvilluar kërkim shkencor. I vetmi interes që motivon mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) është xhvatja e buxhetit, godinave dhe aseteve të saj për orekse financiare dhe politike personale.

Ndaj mbyllja brutale e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) është një kambanë alarmi për të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Është momenti kur të gjithë duhet të solidarizohemi me ASA-an përballë një pushteti që po sakrifikon kërkimin shkencor në altarin e qokave meskine politike.