AKTUALITET, 4 Qershor 2026, 16:24

Vrasja e efektivit të Shqiponjës në Maliq dhe plagosja e kolegut të tij, Hita dhe Lamallari në konferencë: Ishin 40 forca policie në vendngjarje, kallashnikovi depërtoi antiplumbin

Vrasja e efektivit të Shqiponjës në Maliq dhe plagosja e kolegut

Në një konferencë për shtyp krah ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita bëri me dije se ka nisur një hetim për procedurat hetimore lidhur me Violand Braçellarin, autorin e vrasjes së efektivit në Maliq të Korçës.

“Nuk kam pasur dijeni për operacionin. Kam urdhëruar drejtorinë për të nisur hetim për procedurat standarde që janë ndjekur për hetimin e këtij shtetasi në kërkim”, tha Hita. Lidhur me operacionin, Hita konfirmoi se gjashtë efektivët ishin të pajisur me jelek antiplumb, por s’ka mjaftuar që t’i sigurojë mbrojtje të plotë Mekolli. 

Hita: Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë.

Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.

Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor.

I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri.

Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë.

Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës.

Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat.

Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.

Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim.