IDE, 2 Gusht 2024, 10:29

Beteja idiote e pushtetit me Blendi Fevziun për çadrat e plazhit

Beteja idiote e pushtetit me Blendi Fevziun për çadrat e plazhit

Prej disa ditësh qeveria, nga kryeministri deri te ministrat, është angazhuar për të përgënjeshtruar gazetarin Blendi Fevziun, i cili, kur mbyll “qepenat” e emisionit bën xhiro të gjata brenda dhe jashtë vendit.

Dy ditë më parë vajti në Gjirin e Gramës dhe tha se ishte befasuar se nuk kishte njerëz, si asnjëherë më parë në këto vitet e fundit. Komentuesit e shumtë vunë re se, edhe pse i izoluar, në gji kishte një privat që kishte zaptuar me çadra dhe shezlonge  dhe se për të vajtur atje nuk ka rrugë, por një udhëtim me skaf që kushton deri në 50 euro.

Nuk mungoi përgjgjia e kryeministrit që me urgjencë sajoi një video nga Gjiri i Gramës, duke bërë ironi se i kishte sjellë turistët me autobusë nëpër det.

Më herët ministrja e Bujqësisë, nga shkallët e kryeministrisë, hodhi poshtë gjetjet e Fevziut, se, pasi mati me një vegël, fruta-perimet i dolën me nitrate tej normave që rrezikojnë jetën e njerëzve.

Ndërsa sot, sërish kryeministri xhiroi edhe një monolog nga vila lukzose e qeverisë në Dhërmi për t’u kthyer xhevap Fevziut dhe fevzinjve të tjerë se vendi nuk është zbrazur, se shtetasit e Kosovës nuk na kanë braktisur, se nga aeroporti kanë hyrë 1.2 milionë udhëtarë etj., etj.

Përtej kësaj beteje idiote të një qeverie që është me “pushime” prej vitit 2013 dhe një gazetari që shumë pushon dhe shumë punon, realiteti nuk mund të fshihet as me propagandë dhe me me kërcënime komuniste se kush vë gishtin në plagë, është pjesë e grupit armiqësor.

E vërteta është se turizmi shqiptar, veçanërisht në pikun e tij, qershor-gusht, ta shpif, të bën të marrësh leckat dhe të zhdukesh një javë në Turqi ku nuk ka as det të hajrit apo nuk Greqi, ku s’ta bën zemra t’i lësh eurot. Por nga halli.

Faji është i qeverisë, taksidarja e privatëve poshtë që në muajt e verës bëhen edhe ata taksidarë për të nxjerrë paratë e lëna me fatura dhe më shumë me rryshfet për entet shtetërore.

Në maj një apartament te fshati i Samirit ishte 150 euro, edhe pse koha nuk ishte e mbarë për plazh dhe shezlongu 10 euro. Në fund të muajit shkoi 200 euro me mik dhe pa faturë fiskale, ndërsa shezlongu 20 euro. Kur pyetëm për një gazebo një vijën e parë te “Bohemian”, djali tha se ishte 150 euro, por nëse e merrnim për disa ditë po e ulte në 100, plus dhe një shampanjë të lirë falas.  Tani thonë se është disafish, pork jo është zgjedhje personale për të mos u marrë me kafshërinë që ka pushtuar plazhet me lejen e qeverisë.

Një gjë është konstante dimër-verë në vijën bregdetare të Shqipërisë-qelbësirllëku. Ujërat e zeza derdhen kudo në det nga veriu në jug, plehrat janë kudo dhe askush nuk e çan kokën. Pa folur për mungesën kronike të ujit, rrugëve, energjisë elektrike.

Kur nis sezoni vija bregdetare është plaçka e të fortëve dhe pushtetarëve, plazhi publik zhduket edhe pse me ligj ekziston, agjencitë shtetërore marrin mbi dhe nën dorë paratë, dhe privati shin lëmë dhe mbulon me qenëri atë pjesë të pronës publike që është zaptuar me bekimin e shtetit. Pastaj del ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit me fytyrën prej meiti, apo kryebashkiakët që komentuesit e revoltuar në profilin e kryeministrit i cilësojnë “kryederra” dhe ftojnë pushuesit që të frekuentojnë plazhet në Shqipëri. Po ku? Për çfarë? Për t’u kacafytur me privatët që të bastisin edhe nga xhepat, pë të lënë leshtë në restorantet pa ushqim dhe shërbim, apo për t’u larë me fekalet e zonës?

Dhe meqë çdo kritikë kryeministrit të vendit, të mbyllur më sallat dhe vilat luksoze që paguhen me paratë tona, dhe pa asnjë lidhje me realitetin, i duket si veprimtari e grupeve armiqësore, po veçoj komentin e një frymori të quajtur Giovanni Lucca, që s’ka konflikt interesi se është italian që shkruante në profilin e Ramës, poshte fotove të hedhura për plazhin te Rana e Hedhun:

Shumë bukur, por çmimet shumë të larta, përpiquni të mbani çmime të barabarta me Evropën, sepse gropa që po bëni do ta paguani më vonë. Për shembull një kafe në aeroport kushtonte 2.3 euro, kur në aeroportin më të mirë të Italisë kushton 1.2 euro....

Në vitin 2013, kur sapo kishte ardhur në pushtet, Rama tha se dilte natën dhe merrte taksi i maskuar, për të dëgjuar hallet e popullit nga taksisti. Bëri edhe ca pamje me to. Pastaj mori një Cadillak të blinduar dhe e harroi atë muhabet. Pas 13 vitesh, nëse do të dëgjojë të vërtetën e fevzinjve, le të vishet si pushues, se “hajdut 2 metra nuk ka” (e ka thënë vetë me krenari) dhe të shohë se çfarë ndodh përtej mureve të vilës qeveritare të Dhërmiut nga na kërcënon se po ia fëlliqim “Shqipërinë turistike”.