SPORT, 22 Nëntor 2020, 22:58

Ibrahimovic shënon dy gola ndaj Napolit dhe kthen në krye Milanin

Ibrahimovic shënon dy gola ndaj Napolit dhe kthen në krye Milanin

Milani “fluturon” me përbindëshin Zlatan Ibrahimovic. Falë “gjigantit” suedez, kuqezinjtë morën një fitore të madhë 1-3 në “San Paolo” të Napolit dhe rinjiten në krye të Serisë A me 20 pikë, dy pikë më shumë se Sassuolo që është ndjekësja më e afërt.

Pas 20 minutash lojë, 39-vjeçari realizon me kokë një gol sa të bukur dhe të vështirë nga rreth 18 metra largësi, pas krosimit të Hernandez. E vështirë të gjesh gabime në mbrojtjen e Napolit apo tek portieri Meret: fimalizimi i Zlatanit është thjesht perfekt.

Në të 54-tën Ibra shënoi golin e dytë, sërish me kokë, këtë radhë i shërbyer nga Rebic. Askush nuk mund t’u bëjë ballë forcës së tij, në këtë rast duket sikur futet me gjithë top në portë.

Ndeshja u rihap në minutën e 63-të, kur Mertens nga një distancë e afërt realizoi për golin e 1-2, por gjërat u vështirësuan për skuadrën e Gattusos dy minuta më vonë, kur Bakayoko u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Napoli tentoi edhe në inferioritet numerik të shmangte humbjen, por në minutën e pestë shtesë Hauge, i hedhur në fushë në vend të Rebicit, shënoi golin e “knockout”-it. Gjashtë fitore dhe dy barazime për Milanin në këtë sezon, ecuri e një skuadre për titullin kampion, gjithçka meritë e një njeriu për të cilin mosha është vetëm numër.