AKTUALITET, 3 September 2026, 15:18

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani dyshohet se goditi me kovë uji efektivin e Policisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve

Një incident është regjistruar më 5 gusht mes të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, dhe një prej efektivëve të Policisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Sipas burimeve të gazetares Klodiana Lala, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur efektivi Rexhep Sina ka shkuar pranë të penduarit tjetër të drejtësisë, Erjon Alibej. Prania e efektivit pranë Alibej dyshohet se ka nervozuar Dumanin, i cili më pas i ka hedhur kovën me ujë efektivit Sina, duke e goditur.

Pas incidentit, Rexhep Sina ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar nisjen e procedurave për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Ngjarja tashmë është në vëmendjen e autoriteteve, të cilat pritet të verifikojnë rrethanat dhe dinamikën e plotë të incidentit.

Ndërkohë, Paraburgimi 313 ka mohuar që të ketë ndodhur një incident i tillë në ambientet e tij.