LIFESTYLE, 14 September 2026, 18:53

I mbijetoi ferrit të Auschwitz-it, ndahet nga jeta në moshën 107-vjeçare një nga dëshmitarët e Holokaustit

Yehuda Aharon Widawski, i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael, është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare. Ai ndërroi jetë të dielën, pasi i mbijetoi getos së Łódź dhe kampit nazist të përqendrimit Auschwitz-Birkenau. 

I lindur në Poloni në vitin 1919, Widawski u deportua bashkë me familjen në Auschwitz gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atje humbi prindërit dhe pjesën më të madhe të vëllezërve e motrave. Ai dhe vëllai i tij më i vogël arritën të mbijetonin dhe u çliruan në vitin 1945. 

Pas luftës, Widawski emigroi në Izrael në vitin 1950, ku ndërtoi familjen e tij dhe nisi një jetë të re. Megjithatë, lidhja e tij me të kaluarën nuk u ndërpre.

Nga fundi i viteve ’70, ai u kthye vazhdimisht në Poloni, duke kërkuar dhe restauruar varreza hebraike dhe vende varrimi të dëmtuara apo të braktisura gjatë periudhës së Holokaustit. Gjatë dekadave të punës së tij, ai ndihmoi edhe në identifikimin e më shumë se 3 mijë varreve. 

Në vitin 2012, Widawski u nderua nga Yad Vashem, duke u përzgjedhur për të ndezur një nga pishtarët në ceremoninë shtetërore të Ditës së Përkujtimit të Holokaustit, në shenjë vlerësimi për përpjekjet e tij për ruajtjen e kujtesës historike. 

Me ndarjen e tij nga jeta, një tjetër dëshmitar i drejtpërdrejtë i një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore largohet, duke lënë pas historinë e tij të mbijetesës dhe përpjekjet për të ruajtur kujtesën e viktimave të Holokaustit.