AKTUALITET, 22 Shkurt 2020, 14:47

I dha fund jetës në burg, vëllai i 43-vjeçarit: Ishte me probleme, prej 18 vitesh me kartelë. U dënua se vodhi 15 mijë lekë

I dha fund jetës në burg, vëllai i 43-vjeçarit: Ishte me

Vëllai i Bilbil Hasanit, 43-vjeçarit që u vetëvra në burgun ‘313’, thotë se ai ishte dënuar padrejtësisht nga gjykata duke përfunduar në burg për vjedhjen e 15 mijë lekëve të vjetra, ndërkohe që vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Rajmond Hasani tregon për ‘News24’ se, i vëllai Bilbili ishte prej 18 vitesh me kartelë për probleme të shëndetit mendor dhe sipas tij kjo duhej të ishte arsye e fortë që Gjykata mos të merrte masën e rëndë ndaj tij e të mos izolohej në një institucion të papërshtatshëm për një person me probleme.

Për vetëvrasjen e të vëllait, Rajmondi fajëson gjykatën dhe institucionin e burgut ku presioni i tij u rrit se tepërmi deri në aktin e rëndë.

Bilbil Hasani me origjinë nga Kukësi e banim në Kamëz, ishte baba i katër fëmijëve. Ai u arrestua në 9 dhjetor të vitit të kaluar me akuzën e vjedhjes.

Ngjarja ndodhi në autobusin e linjës së Stacionit të Trenit ku 43-vjeçari i vodhi një pasagjeri portofolin në të cilin kishte rreth 15 mijë lekë të vjetra. Pasagjeri i grabitur u vu në ndjekje të autorit, por Bilbil Hasani mundi të largohej duke e hedhur portofolin dhe u arrestua vetëm pak momente më vonë nga policia.