AKTUALITET, 6 Korrik 2020, 16:08

Humbi jetën nga COVID-19, Basha: Mjek që jetën dhe profesionin e vuri në mbrojtje të qytetarëve

Humbi jetën nga COVID-19, Basha: Mjek që jetën dhe profesionin e
Lideri i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Dr. Hysni Shkjau, i cili humbi sot betejën me koronavirusin Covid-19. “Ndarja nga jeta e dr. Hysni Shkjaut është një dhimbje e madhe për familjen dhe miqtë e tij dhe një humbje e pazëvëndësueshme për qytetarët e Pukës të cilëve ai u shërbeu me përkushtim per 40 vite. E sotmja është një ditë zie për personelin shëndetësor në vend, që mes përballjes të vështirë me pasojat e COVID-19, humbi sot dhe një mjek që jetën dhe profesionin e vuri në mbrojtje të qytetarëve. Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të madh të Pukës që do ta nderojë dhe kujtojë përherë veprën e tij. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha. Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeç, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese. Këtë mëngjes dr. Hysni Shkjau, nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, me gjithë përpjekjet e stafit të infektivit për kolegun e tyre.