AKTUALITET, 24 Nëntor 2020, 13:02

Hoti: Nëse nuk ka vullnet për të zgjedhur presidentin e ri, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Hoti: Nëse nuk ka vullnet për të zgjedhur presidentin e ri,

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar sot se nëse nuk ka vullnet nga partitë politike për çështjen e presidentit, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

Deklarata e kryeministrit është bërë gjatë një interviste për “Klan Debat”, ku tha se koalicioni qeverisës nuk i ka 80 vota të cilat nevojiten për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

“Është periudhë ku duhet të vendosen disa gjëra. Është mesë e qartë se vendi nuk ka president dhe në bazë të Kushtetutës ne duhet të zgjedhim presidentin e ri.

Për zgjedhjen e presidentit të ri duhen së paku 80 vota nga Kuvendi të cilat vota sigurisht që ky koalicion qeverisës nuk i ka, që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka dakordim për zgjedhjen e presidentit të ri, gjë të cilën do ta bëjmë së shpejti”, ka thënë Hoti.

Shefi i ekzekutivit shtoi se në rast të mungesës së një dakordimi për këtë çështje atëherë do të diskutohet për datën e zgjedhjeve.

“Nëse nuk ka dakordim të tillë atëherë duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, një datë e përshtatshme për qytetarët që të dalin në votime.

Këto janë dy rrugët kushtetuese që do të ndiqen në javët dhe muajt e ardhshëm. Unë besoj se shpejt do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema.

Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim.

Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”, u shpreh Hoti.