AKTUALITET, 6 Janar 2021, 18:17

Hoti bisedë telefonike me Merkel: Qeveria në detyrë e Kosovës do t'i kryejë të gjitha përgjegjësitë

Hoti bisedë telefonike me Merkel: Qeveria në detyrë e

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilën, siç tha, e ka falënderuar për kontributin që ka dhënë Gjermania në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit dhe të forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës.

“E falënderova atë për angazhimin e saj të gjatë personal në thellimin e lidhjeve Kosovë-Gjermani dhe për mbështetjen e saj gjatë procesit të dialogut [v.j. për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë]”, shkroi Hoti në Twitter.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij thuhet se Hoti dhe Merkel diskutuan edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

“Kryeministri Hoti e siguroi kancelaren Merkel se Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunuese konstruktive me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.