AKTUALITET, 1 Shtator 2021, 18:07

"Hapni rrugët për Ballkanin"/ Rama thirrje Bullgarisë pasi pengoi hapjen e negociatave: Na lini të flasim me BE-në!

"Hapni rrugët për Ballkanin"/ Rama thirrje Bullgarisë


Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin Strategjik të Bledit, që po zhvillohet në Slloveni, shprehu kritika ndaj Bashkimit Europian, përsa i përket procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se BE nuk duhet të justifikohet për vonesat me faktorët e tretë dhe se duhet të hapë bisedimet me Shqipërinë.

Në fund, kreu i qeverisë shqiptare, bëri një thirrje edhe për Bullgarinë, duke i'u drejtuar presidentit bullgar, për të mos shërbyer si pengesë që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, t'i caktohet data për konferencën ndërqeveritare.

“Të paktën këtu në Slloveni, ne mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë. Do ta përmbyll, ju lutemi mos përmendni më faktorët e tretë pasi është qesharake. Nga njëra anë na thuhet se na doni. Na thonë që jeni të rëndësishëm, na thonë që një ditë do martohemi, por deri atëherë nuk do flasim. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macroni, që është më i riu, do jetë duke shkruajtur kujtimet. Po flasim vetëm për bisedimet. Unë do të përfitoj dhe do t'i kërkoj Presidentit të Bullgarisë, ju lutemi, ju bullgarët mos jinni kaq tipik si ata të BE-së, bëhuni ballkanas. Hapini rrugën bisedimeve, të flasim me ta. Ju mund të bëheni ballkanik, hapni rrugët. E kuptuat mesazhin” – tha Rama.

Në muajin qershor, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk ranë dakord për vendosjen e një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Problem në këtë process është bërë vetoja që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriu,t teksa nuk u pranua as ndarja e dy vendeve nga njëri tjetri.