TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Arben Haçkajn, i cili ndodhet në spitalin e burgut.
Haçkaj goditi makinën e analistit Fatos Lubonja rreth një javë më parë, duke dëmtuar xhamin e saj, ndërsa vetë Lubonja e konsideroi si të qëllimshëm dhe të nxitur nga qëndrimet e tij publike. 50-vjeçari nuk është i panjohur për autoritetet e Policisë, ndërsa ka qenë edhe më herët i proceduar për plagosje.
Ndërkohë, Haçkaj është denoncuar edhe nga bashkëshortja e tij për dhunë në familje, e cila tashmë ka edhe një urdhër mbrojtje. Ngjarja, për të cilën akuzohet i dyshuari, ka ndodhur në datën 1 korrik, ndërsa lajmi u bë i ditur rreth një javë më vonë. Ndërkohë që, sipas versionit të Policisë, goditja e makinës së Lubonjës është bërë rastësisht gjatë tentativës për t’iu larguar Policisë, analisti e konsideron këtë si një version të rremë, pasi edhe më herët ky person ka pasur sjellje agresive ndaj tij.
POLICIA
Sipas Policisë, Arben Haçkaj është arrestuar në flagrancë pasi ishte duke kërcënuar me mjetet prerëse disa kalimtarë dhe gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka thyer me sende të forta xhamin e makinës së analistit. “Më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar, shtetasi A.H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50- vjeçarin nga Tirana”, njoftoi zyrtarisht Policia.
DENONCIMET
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ndaj Haçkajt ka bërë kallëzim penal edhe bashkëshortja e tij, e cila ka pretenduar se e ka dhunuar. Në kallëzim, zonja Haçkaj ka shtuar se prej vitesh 50- vjeçari vuante nga sëmundje të shëndetit mendor. Ndërkohë, për makinën ka bërë kallëzim vëllai i analistit Fatos Lubonja.
Sipas Policisë, edhe vëllai i Lubonjës ka deklaruar se i dyshuari ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. “Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshortja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A.L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore., Prokuroria ka shënuar procedim penal për Haçkajn dhe e akuzon atë për 5 vepra penale. “Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ‘Dhunë në familje’, ‘Kanosje’, ‘Shkatërrim prone’, ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta’”, njoftoi Policia.