AKTUALITET, 20 Shtator 2019, 12:05

Gjyqi i Saimir Tahirit, “Le Figaro”: I shpëtoi burgut, vendi kryeson trafikun e heroinës

Gjyqi i Saimir Tahirit, “Le Figaro”: I shpëtoi burgut, vendi


Media franceze “Le Figaro” i ka dedikuar një artikull vendimin që Gjykata e Krimeve të Rënda dha një natë më parë për ish-ministrin e Brendshëm Saimi Tahirin, i cili u dënua me 3.4 vite shërbim prove për shpërdorim detyre.

Në shkrimin e publikuar, francezja e cilëson shpalljen e Tahirit të pafajshëm për akuzat “trafik droge” apo “grup të strukturuar kriminal” si një ‘arratisje’ nga burgu.

“Le Figaro” shkruan më tej se Tahiri është një ish-aleat i ngushtë i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që në vitin 2017 ishte i detyruar të hiqte dorë nga posti i tij për t’u përballur me akuzat e rënda.

“Vetë ish-ministri Tahiri e përshëndeti vendimin e Gjykatës, e cila pranoi që 40-vjeçari nuk ishte një kriminel. Ai gjithashtu lajmëroi se ka ndërmend ta apelojë vendimin me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Emri i tij u shfaq gjatë përgjimit telefonik në një hetim të nisur pas arrestimit në Itali të një prej kushërinjve të tij, Moisi Habilaj të dyshuar si trafikantë droge,”- shkruan ndër të tjera media franceze.

Më pas “Le Figaro” shkruan edhe për Shqipërinë dhe për situatën aktuale ku ndodhet politika në vendin tonë. Francezja shprehet se edhe pse ministri i Brendshëm aktual, Sandër Lleshaj është shprehur se vendi ynë është jashtë hartës së shteteve ku mbillet kanabis, kjo gjë nuk u rezulton e vërtetë.

Media ndërkombëtare thekson se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër në mes të Ballkanit që gjithmonë ka shërbyer si një pikë tranzitore për kalimin e drogës, si heroinë apo kokainë, nga vendet e Lindjes dhe Amerikës së Jugut drejt tregut evropian.

Gjithashtu në artikull vihet në dukje edhe ekstradimi I Arbër Çekajt, pronarit të kontenierit me 613 kg kokainë, që u kap një vit më parë në Maminas.

“Jeta politike shqiptare është helmuar trafiku i drogës, ku njëra palë akuzon kundërshtarët e saj se janë të lidhur me krimin e organizuar,”- shkruan “Le Figaro” në fund të artikullit.

Një natë më parë pas një seancë maratonë, ish-ministri Saimir Tahiri mbylli “Gjyqin e vitit” në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ku u dënua me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin 5 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3 dhe zbret në 3 vite e 4 muaj burg e sipas Kodit Penal konvertohet në shërbim prove.

Për këtë vendim ai u shpreh se ishte qesharak dhe se do ta apelojë. Pas seancës, ai ftoi gazetarët për të zhvilluar një takim, që pritet të zhvillohet ditën e sotme.