AKTUALITET, 1 Maj 2020, 19:04

Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit, Albin Kurti vijon detyrën si Kryeministër


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i ka dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje, në kërkesën e fundit të deputetëve të kësaj partie.

Dekreti i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së, si kryeministër për të formuar qeverinë e re, është pezulluar përkohësisht nga kjo gjykatë.

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin, ndërkohë që 30 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të fundit, dërguan kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ku u  kërkua të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit të dekretit.

Gjykata Kushtetuese sot mori vendimin për masë të përkohshme dhe për efekt, seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti, që ishte thirrur për ditën e nesërme, nuk do të mbahet.

Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të

përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.