TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i ka ndaluar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçajt, kandidimin në garën për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të KED pas verifikimeve të kryera mbi një listë të gjatë kriteresh, që përmbusheshin nga avokati Artur Metani, i cili kaloi në fazën tjetër të përzgjedhjes, duke iu bashkuar në garë gjyqtarit Artur Malaj. Ndërkohë, pritet që KED-ja të marrë vendim edhe për kandidaturat e Eris Hysit dhe Klodian Rados.
Gjonçaj ka qenë më parë anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe përfaqësues ligjor i kësaj force politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Po ashtu, Gjonçaj ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, në kohën kur ky institucion drejtohej nga ish-ministri Saimir Tahiri.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një prej institucioneve më të rëndësishme që parashikohet të ngrihet në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ky institucion do të ushtrojë kontroll mbi gjykatësit dhe prokurorët, si dhe do ketë kompetencën të nisë hetime dhe procedime disiplinore për gjithë sistemin, përfshi këtu edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Mandati i kreut të ILD-së është 9-vjeçar.