AKTUALITET, 14 Nëntor 2018, 19:27

Fyerjet e Veliajt, opozita e bashkuar refuzon Këshillin Bashkiak, bashkohet me protestën e banorëve

Fyerjet e Veliajt, opozita e bashkuar refuzon Këshillin Bashkiak, bashkohet

Opozita e bashkuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në mbledhjen e përbashkët të saj, e konsideroi si të paprecedentë sjelljen e kryetarit Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, dhe gjuhen e tij fyese, denigruese dhe raciste ndaj banorëve të kryeqytetit.

Ajo vendosi të refuzojë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe t’i bashkohet protestës së banorëve të Tiranës, në mbështetje të kërkesave të tyre të ligjshme.

“Si akt proteste ndaj sjelljes së paprecedentë të kryetarit Bashkisë Tiranë, fyerjeve raciste, sjelljes denigruese dhe përçarëse ndaj banorëve dhe qytetarëve të Tiranës, të refuzojë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe t’i bashkohet protestës së banorëve të Tiranës, në mbështetje të kërkesave të tyre të ligjshme, të drejtës së jetës, banesës dhe dinjitetit njerëzor.

Opozita zgjedh të jetë në krah qytetarëve përballë kësaj klike të korruptuar e të shthurur, që vetëm në sajë të votave të blera nga mafia dhe grupet e trafiqeve të drogës sundon vendin dhe Tiranën”, thuhet në deklaratën e Opozitës së Bashkuar në Këshillin Bashkiak Tiranë.

/TPZ.AL/