AKTUALITET, 14 Maj 2019, 08:54

FOTO/ Çfarë ndodhi në protestën e opozitës. Mesazhi i Bashës


Opozita e bashkuar zhvilloi pasditen e së hënës protestën e saj të pestë kombëtare për largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Reshjet e pandërprera të shiut që shoqëruan fillimin e javës detyruan Partinë Demokratike si organizatore kryesore të protestës, të ndryshonte strategjinë e tubimit. Opozita vendosi që qytetarët që iu bashkuan protestës ndaj qeverisë, t’i ftonte në një marshim përpara 5 institucioneve që, sipas demokratëve, janë ilegjitime.

Sipas njoftimit të marrë nga opozita, mijëra qytetarë u grumbulluan fillimisht në sheshin përpara Kryeministrisë. Në muret e Këshillit të Ministrave vijonin të ishin ende ngjyrat e bojës dhe nxirjet e bombave molotov, ndërkohë që protestuesit, përmes thirrjeve të vazhdueshme “Rama ik”, kërkuan largimin e kreut të qeverisë.

Në fjalën e tij, Basha e cilësoi protestën e opozitës përballë dhunës së ushtruar nga qeveria një sakrificë për çdo qytetar dhe duke vendosur të flasë në mes të reshjeve të shiut, pranoi edhe një herë se beteja e nisur nuk është për pushtet.

“Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Jemi sot në këtë marshim, për të thënë qartë dhe prerë:

E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë te vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore.

Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit”, tha Basha.

Pak orë para skadimit të afatit zyrtar për dorëzimin e kandidatëve për kryetarë bashkie, kreu i PD-së i kujtoi edhe një herë qeverisë se zgjedhje false nuk do të ketë.

“Nuk do të ketë zgjedhje false në Shqipëri. Shqipëria do të çlirohet nga zgjedhjet false.

Do t’i japim mundësi çdo shqiptari të votojë pa frikën e krimit, pa frikën e oligarkëve në pushtet, pa përdhunuesin serial të zgjedhjeve në pushtet. Ja ku e kemi garancinë, marshimin më historik të protestës. Do të jemi të gjithë bashkë në këtë marshim të shpresës, marshimin e lirisë, marshimin e demokracisë, marshimin tonë kundër dhunës qeveritare, kundër krimit në pushtet dhe qeverisë së bërë njësh me krimin”, sqaroi kreu i PD-së.

MARSHIMI

Zhvendosja e protestuesve nga Kryeministria drejt Policisë së Shtetit shënoi edhe incidentet e para të protestës së opozitës. Protestuesit kanë hedhur tymuese dhe kapsolla në drejtim të efektivëve të Policisë, nga të cilat mësohet se është plagosur edhe njëri prej punonjësve të Policisë.

Pasi qëndruan për rreth 20 minuta, protestuesit u zhvendosën në drejtim të Parlamentit. Njësoj si në protestat e mëparshme, edhe në këtë dje, protestuesit hodhën mjete piroteknike në drejtim të Policisë, por këta të fundit ruajtën përmbajtjen, duke mos hedhur si zakonisht gazin lotsjellës.

Kur u gjykua se mesazhi për institucionin e Parlamentit ishte përmbushur, protesta u zhvendos përpara ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Protestuesit akuzuan ministrin Sandër Lleshaj si urdhërues të dhunës ndaj qytetarëve dhe sollën në vëmendje sasitë e mëdha të gazit të përdorura në tubimet e mëparshme.

Ndalesa e fundit për të protestuar ishte Drejtoria e Policisë së Tiranës, në të cilën mbahen të shoqëruar disa protestues të demokratëve.

Në këtë ndalesë të fundit, protestuesit ashpërsuan veprimet e tyre ku veç kapsollave, përdorën sërish bombat molotov dhe thyen xhamat.

Pas një përplasjeje që zgjati rreth 40 minuta, pas afro tri orësh nga nisja e protestës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tërhoqi qytetarët në selinë blu ku edhe njoftoi përfundimin e tubimit.

MESAZHI

Në fund të protestës së opozitës, Basha deklaroi se nuk do të bëjë kompromis dhe pazare me të keqen, duke kërkuar që kjo e keqe të ikë.

“Sot treguam se nuk ka forcë të na ndalë kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi të bëjmë pazare e kompromis me të keqen, e keqja duhet të ikë”, tha kreu i PD-së.