AKTUALITET, 14 Mars 2019, 14:34

Firon lista e demokratëve në Kukës, a do ti kalojë mandati PS-së?! (Rasti i paprecedentë)

Firon lista e demokratëve në Kukës, a do ti kalojë mandati

Duket se historia e djegies së mandateve të PD-së dhe gjithë opozitës dhe plotësimi i tyre me listat e kandidatëve të partive përkatëse po shkon drejt pikës së nxehtë, atë të shterrjes së listave.

Precedenti është qarku i Kukësit, ku lista e PD-së me 4 kandidatë rrezikon ta kthejë të gjithë çështjen në një rast unik, jo vetëm në jetën parlamentare shqiptare.

Ndërsa në qarqet e mëdha ku listat janë të gjata dhe nga të dy partitë PD dhe LSI shumë kandidatë po i përgjigjen pozitivisht thirrjes së KQZ për të marrë mandatin, në Kukës pas djegies së mandatit nga 2 deputetët Flamur Noka dhe Isuf Çelaj të zgjedhur me votë, i vetmi që pranoi mandatin e deputetit ishte Alban Zeneli.

Ky i fundit ishte i treti në listën e PD për deputet, ndërsa kandidati i katërt Miftar Dauti ende i pashprehur për pozicionin e tij, duhet të dorëzojë deri nesër formularin e vetëdeklarimit në KQZ.

Por çdo të ndodhë nëse kandidati Dauti refuzon të marrë mandatine deputetit?

Në krye të herës, qëkur deputetët dogjën kolektivisht mandatet e tyre u hodh ideja që mandatet e dorëzuara nga opozita mund ti kalojnë PS-së.

Së pari kjo do të agravonte dhe më tej situatën tashmë të ndezur politike dhe së dyti ligjërisht ky ngërç është i paparashikuar nga Kodi Zgjedhor.

Nga nesër, vendimmarrja për Kukësin do të përcaktojë dhe më tej se çfarë do të ndodhë në të gjitha qarqet e republikës në rastet kur do të shterrojnë listat e kandidatëve dhe Kuvendi i Shqipërisë do të ketë sërish disa karrige deputetësh bosh.

Lista e kandidatëve PD Kukës

Flamur Noka I dorëhequr

Isuf Çelaj I dorëhequr

Alban Zeneli Pranon mandatin

Miftar Dauti Kandidat