AKTUALITET, 16 July 2026, 14:45

Fermerët kërkojnë 1.85 milionë euro kompensim/ Tatimet: Dorëzohen 686 aplikime online për përfituar 10%

Procesi i aplikimit të fermerëve për përfitimin e kompensimit prej 10 për qind përmes autofaturës ka shfaqur interes të lartë. Sipas të dhënave deri më 14 korrik 2026, janë dorëzuar gjithsej 686 aplikime online nga fermerë të regjistruar.

Ndërkohë, shuma totale e kompensimit të kërkuar nga fermerët ka arritur në rreth 1.85 milionë euro. Kjo pasqyron angazhimin e prodhuesve bujqësorë për të përfituar nga skema e kompensimit, e cila synon të mbështesë aktivitetin e tyre dhe të lehtësojë kostot e prodhimit.

Autoritetet rikujtojnë se aplikimi kryhet në mënyrë elektronike përmes platformës e-Filing dhe u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve të regjistruar që ende nuk e kanë paraqitur kërkesën, të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara për të përfituar kompensimin prej 10 për qind që u takon.

Skema e kompensimit përmes autofaturës është një nga mekanizmat që synon të mbështesë fermerët, të formalizojë transaksionet në sektorin bujqësor dhe të krijojë lehtësi financiare për prodhuesit vendas.