SPORT, 27 Gusht 2020, 20:08

Europa League/ Shkëndija e Renova shtojnë përfaqësinë shqiptare në turin e dytë, eliminohet Shkupi

Europa League/ Shkëndija e Renova shtojnë përfaqësinë

Shkëndija e Tetovës ia doli të triumfojë me shifrat 0-2 në transfertën azere ndaj Sumqayit dhe të kualifikohet për në turin e dytë eliminator të Europa Leagues.

Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka u shfaq dukshëm dominuese ndaj kundërshtarit, ndonëse golat e kualifikimit i shënoi vetëm në pjesën e dytë dhe të dy me 11-metërsh.

Fillimisht ishte sulmuesi Besar Ibraimim, që u tregua i saktë nga 11-metrat, ndërsa në minutat shtesë sulmuesi i ardhur këtë verë Ljupce Doriev fitoi vetë një penallti, të cilën e shndërroi në gol me një gjuajtje të lehtë e të saktë.

Vlen të theksohet se kuqezinjtë patën vazhdimisht kontrollin e lojës dhe ra në sy paraqitja mjaft e mirë e futbollistëve si Valon Ahmedi, Ljupçe Doriev, Bruno Dita, por edhe Omar Imeri, që me pak më shumë fat, mund ta kishte emrin në listën e golshënuesve.

Rreth 30 kilometra më larg, në kryeqytetin azer Baku, skuadra tjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Shkupi i dha fund aventurës europiane, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga Inter Baku dhe u eliminua që në turin e parë.

Skuadra simbol i pjesës shqiptare të kryeqytetit të Maqqedonisë së veriut, Shkupit, rezistoi mirë deri në minutën e 67’, por më pas pësoi dy gola dhe në fund gjeti rrjetën me Darboe, por gjithçka vlejti vetëm për sodisfaksion personal të futbollistit.

Numrin e skuadrave shqiptare që do të luajnë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës e shtoi edhe ekipi tjetër i Maqedonisë së Veriut, Renova. Skuadra që përfaqëson Xhepçishtin, një lokalitet shqiptar pranë Tetovës, ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj armenëve të Aleshkert.

Një gol i mbrojtësit Mishkovski në minutën e 56’ të ndeshjes vulosi kualifikimin për Renovën, që bëhet kështu skuadra e katërt shqiptare në turin e dytë eliminator të Europa Leagues, pas Tiranës, Teutës e Shkëndijës, ndërsa numri mund të rritet edhe më shumë deri në mbrëmje.